Sipas Raportit Mujor të Monitoruesit të të Drejtave të Njeriut në Iran për muajin maj, ka patur shumë raste të abuzimit të të drejtave njerëzore, duke përfshirë 16 ekzekutime, pesë dënime me rrahje me kamzhik, 17 raste vrasjesh arbitrare, rritje të presionit mbi të burgosurit, rrahje të shitësve të rrugës, shkatërrim të shtëpive të njerëzve, prerjen e flokëve të një vajze për mbulim të papërshtatshëm, si dhe shtypjen e protestave paqësore mbarëkombëtare.
Incidenti më tronditës në maj ka ndodhur në qytetin jugor Kazerun, ku protestat u bënë vdekjeprurëse pasi forcat e sigurisë së regjimit iranian hapën zjarr mbi protestuesit. Monitoruesi i të Drejtave të Njeriut në Iran raporton se janë vrarë të paktën katër protestues, disa janë plagosur, dhe shumë të tjerë janë arrestuar. Video klipet nga brenda Kazerunit tregojnë agjentë me veshje civile duke qëlluar mbi protestuesit nga tarraca e ndërtesës së drejtësisë. Video të tjera tregojnë forcat e sigurisë të mobilizuara nga autoritetet nga qytetet fqinje si Shiraz dhe Teheran, për të pushuar protestat.
Monitoruesi i të Drejtave të Njeriut në Iran ka regjistruar 16 ekzekutime në muajin maj. Tre prej tyre janë realizuar në publik. Gjithashtu, emrat e 57 të burgosurve që presin ekzekutimin i janë shpallur gjykatës në Burgun Rajaie Shahr (Gohardasht), në Karaj.
Shtatëmbëdhjetë vrasje arbitrare janë regjistruar gjithashtu nga Monitoruesi i të Drejtave të Njeriut në Iran, duke përfshirë 9 hamallë të cilët janë qëlluar dhe vrarë nga Rojat e Kufirit të Iranit. Gjithashtu janë raportuar të paktën katër individë të qëlluar për vdekje gjatë protestave në Kazerun, në Iranin jugor.
Dy të burgosur kryen vetëvrasje për shkak të kushteve të rënda të burgut. Të paktën një i burgosur ka vdekur pasi nuk i është ofruar trajtimi i duhur mjekësor.