NCRI – Tubimet kundër regjimit që filluan të enjten në Mashhad u përhapën në qytete të shumta, në Teheran, Tabriz, Isfahan dhe Shiraz, si dhe dhjetra qytete anembanë vendit.
Këto tubime janë të ndryshme nga ato që ndodhën në vitin 2009, kur rizgjedhja e ish presidentit iranian Mahmud Ahmadinexhad shkaktoi tubime mbarëkombëtare. Këto protesta bëhen me kërkesa ekonomike dhe demonstruesit i kanë përshkallëzuar në një ultimatum për një ndryshim rrënjësor të regjimit.
Manifestimet janë kthyer në një protestë të përgjithshme kundër elitës drejtuese dhe politikave brenda dhe jashtë vendit.
Ajo që ndryshon në Iran sot, krahasuar me vitin 2009, është se Khamenei përdori influencën e tij prapa Ahmadinexhadit dhe drejtoi një represion masiv për të shuar kërkesat e protestuesve. Në 2018, regjimi iranian e kupton shumë mirë se hapja e zjarrit kundër protestuesve do të ushqejë flakët e protestave. Në fakt, publikimet në mediat sociale tregojnë moralin e ulët mes forcave të sigurisë, të cilët nuk janë të gatshëm të hapin zjarr kundër protestuesve edhe kur urdhërohen ta bëjnë këtë. Në një video, shihet një anëtar i ultrakonservatorit Basij, një njësi paraushtarake e Gardës Revolucionare (IRGC), duke ulur shkopin e duke hequr xhaketën e tij, duke treguar se nuk është më i gatshëm të sulmojë bashkatdhetarët e tij.
Ndërkohë, në qytete të ndryshme, protestuesit sulmojnë rajonet e policisë, përmbysin makinat e policisë dhe i vënë zjarrin motoçikletave policore. Sipas informatave, njerëzit në Iran kërcënojnë të marrin armët në përgjigje të çdo goditjeje nga ana e regjimit.
Udhëheqësja e opozitës iraniane, Maryam Rajavi po përshëndet protestat duke thënë, “Protestat e vazhdueshme në qytete të ndryshme kundër regjimit tregojnë gjendjen e tensionuar të shoqërisë iraniane dhe dëshirën e njerëzve për ndryshimin e regjimit.” Opozita iraniane shpreson që bashkësia ndërkombëtare do të njohë zyrtarisht kërkesën e popullit iranian për ndryshimin e regjimit dhe legjitimitetin e rezistencës së organizuar që ndjek këtë objektiv.