E martë, 27 shkurt 2018 21:10
Protesta kundër pranisë së ministri t të sanksionuar të Iranit në takimin e të drejtave të OKB-së
AFP: 27 shkurt 2018. Demonstruesit u mblodhën jashtë OKB-së në Gjenevë të martën dhe disa diplomatë u larguan nga salla në protestë kundër fjalimit të ministrit të drejtësisë të Iranit në këshillin e të drejtave, pavarësisht se ai përballet me sanksione zvicerane dhe të BE për shkelje të të drejtave.
Alireza Avaie doli në podium në Këshillin e të Drejtave të Njeriut, duke kritikuar “mangësitë e tmerrshme” atje dhe në mekanizmat e tjerë të të drejtave të OKB-së dhe duke akuzuar Uashingtonin dhe të tjerët se “shfrytëzojnë të drejtat e njeriut për qëllimet e tyre politike”.
Por, madje para se ai të fliste, thjesht prania e tij nxiti 150 demonstrues që të mblidheshin jashtë selisë qendrore të OKB-së, duke valëvitur flamuj të përdorur nga grupet e opozitës iraniane në mërgim dhe pankarta ku lexohej “Arrestoni Avaie-n”.
Pranë një piramide të madhe këpucësh që përfaqësonte mijëra të vrarët në masakrën e të burgosurve në vitin 1988, demonstruesi Safora Mohammadi, një student i drejtësisë 35 vjeçar, insistoi se Avaie ishte “një vrasës”.
“Ai është vrasës dhe faktikisht u trondita që Kombet e Bashkuara e ftuan të merrte pjesë në një konferencë për të drejtat e njeriut”, tha ai për AFP.
Avaie është ndoshta më polemiku mes rreth 100 personaliteteve që do të flasin në hapjen e sesionit kryesor vjetor të këshillit të të drejtave këtë javë.
Brukseli dhe Berna kanë vendosur sanksione mbi të, duke pohuar se si ish-prokuror i lartë i Teheranit ishte “përgjegjës për shkeljet e të drejtave të njeriut, arrestimet arbitrare, mohimin e të drejtave të burgosurve dhe shtimin e ekzekutimeve”.
Sipas anëtarëve të opozitës iraniane në mërgim, ai luajti një rol kyç në masakrën e të burgosurve në vitin 1988.
Amnesty International tha se rreth 5,000 të burgosur u ekzekutuan brenda disa muajsh, ndërsa grupet e opozitës iraniane e vendosën shifrën më rreth 30,000.
– ‘Një tallje’ –
Para se Avaie të merrte fjalën, një numër diplomatësh u larguan nga salla në protestë diskrete kundër pranisë së tij.
Kur iu afruan gazetarët pas fjalimit të tij dhe e pyetën lidhur me kritikat, Avaie kaloi me fytyrë të ngrirë pa u përgjigjur.