Për Çfarë Duhet të Shqetësohet më Shumë Regjimi Iranian?

426

 

Nga Mohammad Sadat Khansari

Mbi regjimin iranian po ushtrohet një presion i jashtëzakonshëm nga Shtetet e Bashkuara, me sanksionet paralizuese ekonomike dhe etiketimin e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) si organizatë e huaj terroriste (FTO).

Por presioni i brendshëm që po ushtrohet nga populli i Iranit është po aq dëmtues për regjimin iranian. Gjatë katër dekadave të fundit, ka patur disa kryengritje, por të gjitha shenjat që vijnë nga populli iranian tregojnë se këtë herë gjërat janë ndryshe. Shoqëria është në prag të një kryengritjeje tjetër, me shumë mundësi e fundit para rrëzimit të regjimit. Populli do ndryshimin e regjimit dhe është i përgatitur të vuajë edhe pak më shumë për ta arritur.

Regjimi iranian e di se populli është i përgatitur të bëjë të pamundurën në rrugën e tij për liri, demokraci dhe respektim të të drejtave të njeriut, e megjithatë vazhdon të japë urdhra për masa shtypëse.

Regjimi iranian është përpjekur ta heshtë opozitën me anë të mënyrave më brutale gjatë katër dekadave të fundit. Një rast i tillë ndodhi në 1988-ën kur regjimi iranian ekzekutoi dhjetëra mijëra të burgosur politikë, shumica prej të cilëve ishin anëtarë ose kishin lidhje me Organizatën Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI / MEK). Megjithatë, as ky krim madhor kundër njerëzimit nuk e bëri popullin iranian që ta ndalte shprehjen e kundërshimit ndaj mullahëve. Në fakt, mundn të thuhet se ky akt e forcoi vendosmërinë e popullit dhe ia shtoi arsyet për ta kundërshtuar regjimin.

Në këtë moment, studentët në Iran po protestojnë. Ky lajm vjen vetëm pak ditë pas shpalljes së regjimit iranian se mospajtimi politik do të adresohet nga një forcë e re politike. Ata arrestojnë protestues dhe ndezin konflikte për ta larguar vëmendjen nga arsyet e vërteta të këtyre tubimeve.
Studentët po protestojnë kundër ligjeve për mbulimin e detyrueshëm dhe njerëzit janë dëgjuar tek bërtisnin kundër mungesës së zgjedhjes e të lirisë që u mohohet në mënyrë mizore.

Situata është përshkruar nga shumë njerëz si fuçi baruti dhe kjo është plotësisht e saktë. Popullit po i mbushet kupa për shkak të një numri faktorësh, duke përfshirë shtypjen nga regjimi, plaçkitjen e pasurisë së kombit, korrupsionin dhe keqmenaxhimin e regjimit – sidomos për sa i përket ekonomisë, e kështu me radhë.

Regjimi është sigurisht i shqetësuar për presionin e rritur ndërkombëtar, përfshirë fushatën e vendosur të administratës Trump, por është populli iranian ai që duhet ta shqetësojë më shumë regjimin. Rezistenca po bëhet gjithnjë e më e fortë dhe ditët e regjimit janë të numëruara.