Shkruar nga Mahmoud Hakamian më 19 gusht 2019.
Regjimi iranian ka ekzekutuar të paktën shtatë kundërvajtës fëmijë vitin e shkuar, ndërsa 90 minorenë të tjerë janë të dënuar me vdekje, sipas një raporti të ri për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara nga Raportuesi Special mbi situatën e të drejtave njerëzore në Iran.
Raporti i shkruar nga Raportuesi Special Javaid Rehman, “A/74/188”, që ka qarkulluar në Shtetet Anëtare të OKB-së më 16 gusht, deklaron: “Në 2018-ën ka patur shtatë raste të raportuara të ekzekutimit të kundërvajtësve fëmijë. Aktualisht llogaritet të ketë 90 individë të dënuar me vdekje, të cilët kanë qenë nën moshën 18 vjeçare në kohën kur supozohet të kenë kryer krimin. Mes rasteve më të fundit, më 25 prill 2019, dy fëmijë 17-vjeçarë, Mehdi Sohrabifar dhe Amin Sedaghat, janë ekzekutuar” në burgun Adelabad në Shiraz për një krim të supozuar të cilin raportohet se janë detyruar ta rrëfejnë nën torturë.
- Rehman vuri në dukje se pozicioni i raportuesve të OKB-së dhe Komisioneres së Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Michelle Bachelet lidhur me ekzekutimet e kundërvajtësve fëmijë ka qenë krejtësisht i qartë. “Ata kanë deklaruar se kjo praktikë është absolutisht e ndaluar dhe duhet të marrë fund menjëherë.”
Raportuesi Special ngriti gjithashtu shqetësime rreth akuzimeve për “rrëfime të nxjerra me anë të torturës” dhe për “mungesë të procedurave të duhura gjyqësore apo të gjykimit të drejtë.”
Raporti i plotë mund të gjendet në faqen e internetit të OKB-së: https://undocs.org/en/A/74/188