OKB miraton rezolutën e 66-të që dënon abuzimet ndaj të drejtave njerëzore në Iran

775

Znj. Rajavi nxit Këshillin e Sigurisë që të veprojë për ndalimin e abuzimeve në rritje ndaj të drejtave dhe krimeve të vazhdueshme kundër njerëzimit të kryera nga regjimi i mullahëve

Znj. Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), e ka mirëpritur miratimin nga Asembleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara të një rezolute që dënon shkeljet flagrante dhe sistematike të të drejtave njerëzore në Iran.

Ajo tha: Pas 66 dënimeve nga OKB, komuniteti botëror duhet të marrë masa të efektshme për ta ndalur prirjen e përshkallëzuar të abuzimeve me të drejtat njerëzore dhe të krimeve të vazhdueshme kundër njerëzimit të kryera nga regjimi klerikal.

 

Ajo shtoi: Heshtja dhe mosveprimi përballë krimeve të panumërta të kryera nga fashizmi fetar që sundon Iranin në katër dekadat e fundit e kanë trimëruar atë për t’i përsëritur e intensifikuar krimet kundër njerëzimit. Masakrimi i mbi 1,500 njerëzve e të rinjve, plagosja e 4,000 të tjerëve dhe arrestimi i 12,000 njerëzve gjatë kryengritjes mbarëkombëtare në nëntor është një nga krimet më të tmerrshme të shekullit të 21-të dhe përbën pa dyshim një krim kundër njerëzimit.

 

Znj. Rajavi theksoi se personat përgjegjës për mizoritë e urryera të nëntorit, lideri suprem i regjimit Ali Khamenei, presidenti Hassan Rouhani, dhe udhëheqës të tjerë të regjimit, kanë qenë të përfshirë në krimet e teokracisë në pushtet, si në masakrën e 1988-ës. Pandëshkueshmëria që gëzojnë ata duhet të marrë fund. Këshilli i Sigurisë duhet t’i njohë krimet e regjimit, duke përfshirë masakrat e 1988-ës dhe 2019-ës, si krime kundër njerëzimit në mënyrë që personat përgjegjës të përballen me drejtësinë.

 

Presidentja e zgjedhur e NCRI-së theksoi sërish nevojën për formimin e një misioni të gjetjes së fakteve nga OKB për të hetuar masakrën e nëntorit dhe për të shkuar në Iran ku të vizitojë burgjet dhe të arrestuarit. Ajo shtoi se teokracia  që sundon në Iran është abuzuesi më barbar e i egër i të drejtave njerëzore në botë sot. Ky regjim i ka shkelur në mënyrë flagrante të drejtat themelore të kombit iranian në të gjitha aspektet politike, shoqërore dhe ekonomike, dhe prandaj duhet të dëbohet nga komuniteti ndërkombëtar.

 

Sekretariati i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit

18 dhjetor 2019