Saturday, July 27, 2024

Regjimi Iranian Thotë se Ka Kapacitetin ta Rritë Pasurimin e Uraniumit Përtej 20%

Shkruar nga Amir Taghati më 08 shtator 2019.

Regjimi iranian tha të shtunën se tashmë e ka kapacitetin për ta rritur pasurimin e uraniumit përtej nivelit 20%, në shkelje të paktit bërthamor ndërkombëtar të 2015-ës me fuqitë botërore.

“Kemi nisur t’i heqim kufizimet e vendosura mbi Kërkimin dhe Zhvillimin tonë nga pakti…Kjo do të përfshijë ndërtimin e centrifugave më të shpejta e më të avancuara,” tha zëdhënësi i agjencisë bërthamore të regjimit, Behrouz Kamalvandi, në një konferencë për shtyp të transmetuar në televizion.

 

Znj. Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Rezistencës Iraniane, pati paralajmëruar menjëherë pas firmosjes së paktit bërthamor më 14 korrik 2015: “Kjo marrëveshje nuk ua mbyll mullahëve rrugën e mashtrimeve dhe aksesin në një bombë bërthamore”.

Më herët, më 24 nëntor 2013, znj. Rajavi kishte thënë: “Çdo tolerim, ngurrim, dhe lëshim nga komuniteti ndërkombëtar do ta nxisë Khamenei-n që të fillojë edhe një herë prodhimin me anë të mashtrimeve e hileve.”

Në librin e tij “Siguria Kombëtare dhe Diplomacia Bërthamore”, Hassan Rouhani, president i regjimit klerikal, shkruan: “Në vitin 2002, veprimtaritë po zhvilloheshin në një atmosferë të qetë, por Muxhahedinët (PMOI/MEK) papritmas shkaktuan shumë zhurmë duke bërë akuzime të rreme… ndërsa Organizata jonë e Energjisë Atomike donte ta … njoftonte IAEA-n me një fait accompli (fakt të kryer)”. Këtu i referohet zbardhjes nga MEK të lokacioneve të fshehta bërthamore të regjimit në vitin 2002.

Britanikja Sunday Telegraph pati publikuar më 5 mars 2006 se, në një fjalim publik, Rouhani kishte “zbuluar se si Teherani është munduar të fitojë kohë dhe ta mashtrojë Perëndimin pas zbardhjes së programit të tij të fshehtë bërthamor nga opozita iraniane në vitin 2002.”