Thursday, March 28, 2024

Një dokument i ri mbi krimet e regjimit iranian kundër MEK

Presidentja e zgjedhur e Rezistencës Iraniane, Maryam Rajavi, prezanton një libër të ri që dokumenton provat e masakrës ndaj 5000 anëtarëve të MEK në 1988-ën

Strasburg, 29 tetor 2019—“Ky nuk është thjesht një libër që përmban emrat e viktimave, por një dëshmi historike që tregon se si Irani është marrë peng nga teokracia fashiste mesjetare,” tha znj. Maryam Rajavi, presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), në një konferencë në Parlamentin Europian më 23 tetor, ku prezantoi një libër të sapo-publikuar rreth masakrës ndaj të burgosurve politikë iranianë.

Në 1988-ën, Ruhollah Khomeini, lideri suprem i atëhershëm i regjimit, dha urdhër për spastrimin e burgjeve të Iranit nga të burgosurit politikë që kishin lidhje me Organizatën e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (PMOI/MEK). Pas urdhrit të Khomeini-t, zyrtarët e regjimit ekzekutuan mbi 30,000 të burgosur, kryesisht anëtarë dhe mbështetës të MEK.

Libri, me titull “Krim Kundër Njerëzimit,” përmban emrat e 5,000 prej viktimave të masakrës së 1988-ës, si dhe detajet e zyrtarëve të regjimit dhe të Komisioneve të Vdekjes të përfshirë në këtë krim. Duke qenë njëri nga disa dokumente të publikuara mbi këtë ngjarje të tmerrshme, ky libër hedh dritë të re mbi atë që shumë ekspertë e juristë të të drejtave njerëzore e përshkruajnë si krim kundër njerëzimit.

Edhe pse kanë kaluar më shumë se tre dekada që nga masakra e 1988-ës, mbeten ende shumë pyetje rreth saj, duke përfshirë numrin e saktë të viktimave dhe vendndodhjet e varreve të tyre. Pas masakrës së 1988-ës, regjimi u mor me veprimtari të shumta e fushata represioni për të parandaluar përhapjen në Iran e në botë të lajmeve rreth kësaj masakre ndaj të burgosurve anëtarë të MEK.

Regjimi nuk lejon asnjë grup a individ—madje as vetë zyrtarët e tij—ta përmendin masakrën e 1988-ës si ngjarje apo fatin e të burgosurve të MEK të ekzekutuar. Kjo ka përgatitur terrenin për mohimin e krimit më të madh që kanë kryer mullahët gjatë sundimit të tyre 40-vjeçar.

Masa e parë që mori regjimi për të fshehur gjurmët e krimeve të tij ishte hedhja e trupave të të burgosurve të ekzekutuar në varre masive në vende të largëta e të panjohura. Qëllimi ishte ta parandalonte ekspozimin e përmasave të vërteta të këtij krimi të tmerrshëm.

Më pas, zyrtarët e regjimit i persekutuan familjarët e viktimave dhe nuk i lejuan të mbanin ceremoni dhe as ta përmendnin apo të pyesnin për fatin e të afërmve të tyre.  Autoritetet iraniane nuk ua kanë thënë kurrë familjeve se ku janë varrosur viktimat. Edhe sot e kësaj dite, shumë familje vazhdojnë të enden nëpër shkretëtirat e Iranit, duke kërkuar gjurmë të njerëzve të tyre.

Gjithashtu, autoritetet iraniane i kanë djegur dokumentat dhe fotot e të burgosurve të ekzekutuar, anëtarë të MEK, duke u përpjekur ta mohojnë faktin se ata kanë ekzistuar ndonjëherë. Ata që përpiqeshin të hetonin për fatin e viktimave dhe që bënin shumë pyetje, ose arrestoheshin, ose zhdukeshin si viktimat e masakrës së 1988-ës.

Vite më vonë, teksa e vërteta nisi të dilte në sipërfaqe dhe njerëzit zbuluan disa nga varret masive, regjimi filloi t’i çimentonte vendet e varreve masive në shumë qytete për të zhdukur çdo gjurmë të krimit të tij.