Wednesday, February 1, 2023

Një Alternativë e Vlefshme ndaj Regjimit Aktual në Iran

 Publikuar më 01 janar 2019.

Nga: Giulio Terzi, ish-ministër i punëve të jashtme i Italisë

Fragmente

Kryengritja kombëtare e dymbëdhjetë muajve të fundit në Iran ka nxjerrë një mesazh politik të qartë e të pamohueshëm, duke mos lënë asnjë dyshim rreth dëshirës së vërtetë të popullit për ndryshim regjimi.

Si përgjigje, zyrtarët e regjimit në nivelet më të larta, duke përfshirë liderin suprem Ali Khamenei, ia kanë atribuar menjëherë sloganet e tilla si “vdekje diktatorit” dhe organizimin e revoltës Lëvizjes PMOI / MEK, e cila ka qenë gjithmonë në avangardë të përpjekjes për t’i dhënë fund regjimit teokratik, kontrolleve shtypëse dhe represioneve të dhunshme – të implementuara nga aparati iranian i sigurisë dhe inteligjencës – dhe lirimit të menjëhershëm të të gjithë të burgosurve politikë dhe për një Iran që i respekton plotësisht detyrimet e tij ndërkombëtare dhe sundimin e ligjit.

Në këtë aspekt, është e rëndësishme të theksohet se si platforma politike e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI) i cili kryesohet nga Maryam Rajavi, ka fituar një mbështetje gjithnjë e më të madhe, si ndërkombëtarisht ashtu edhe mes popullit iranian, dhe është kthyer në një alternativë të vlefshme, të besueshme dhe demokratike ndaj një sistemi të falimentuar sundues, i cili është përgjegjës për shpërbërjen ekonomike, korrupsionin flagrant, dhe represionet gjakatare në Iran – si dhe në vende të tjera përmes “proksive” të regjimit – gjë që po e izolon pa dyshim popullin iranian.

Në këtë kontekst, pas më shumë se një viti demonstratash në mbarë vendin kundër regjimit të korruptuar e despotik të ajatollahëve, më datë 15 të dhjetorit të shkuar, emigrantë iranianë në 50 qytete të botës u takuan për të rritur ndërgjegjësimin për nevojën për një ndryshim të thellë në atdheun e tyre. Aktivistë “pro-demokracisë” dënuan komplotet terroriste të kohëve të fundit kundër opozitës së regjimit dhe u bënë thirrje qeverive të huaja që të ndërmarrin politika më të vendosura dhe përkushtime konkrete kundër mullahëve.

Duhet të jetë e qartë tashmë për komunitetin ndërkombëtar se përplasja mes regjimit thellësisht jo-popullor teokratik dhe rezistencës demokratike gjithnjë e më me ndikim është plotësisht e gjallë. E kam patur tashmë mundësinë të shkruaj se si politikanët perëndimorë e kanë shpërfillur për një kohë tepër të gjatë praninë e këtyre aleatëve “natyralë” në shoqërinë iraniane, të cilët nuk mund ta bëjnë më një gjë të tillë në mënyrë të besueshme.

Europa ka rrezik të humbasë një mundësi të artë për të kontribuar në një të ardhme më të mirë për Lindjen e Mesme, ndërsa protestat vazhdojnë në forma të ndryshme. Përmirësimi i kushteve të jetesës për popullin iranian dhe fitorja e lirisë së plotë duhet të jetë detyrim për vendet perëndimore dhe një motivim i mëtejshëm për formimin e një horizonti të përbashkët në proceset vendim-marrëse që zhvillohen në Kombet e Bashkuara në New York dhe Gjenevë, si dhe në BE në Bruksel e në Uashington.

Gjatë viteve, Teherani ka qenë gjithmonë jashtëzakonisht aktiv në përhapjen e një propagande urrejtjeje kundër Rezistencës, duke e portretizuar këtë Lëvizje si një fole “terroristësh”: një praktikë e të gjithë regjimeve diktatoriale kundër kundërshtarëve politikë. Një shembull është mënyra sesi i njëjti subjekt u përdor në Siri nga Assad në 2011-ën, kur i ashtu-quajturi Shtet Islamik nuk ishte krijuar ende. E vërteta është se regjimi iranian jo vetëm që është përpjekur ta delegjitimizojë opozitën demokratike të NCRI-së përmes shpërndarjes së informacioneve të rreme, por me një strategji vrasjesh me shënjestër, e cila është përdorur për vite të tëra, ka ndjekur gjithashtu rrugën e asgjësimit fizik të kundërshtarëve politikë që banojnë jashtë vendit.

Historia e tmerrshme e Kampit Liberty dhe Kampit Ashraf në Irak njihet mirë: mijëra refugjatë politikë iranianë – zyrtarisht nën mbrojtjen e Kombeve të Bashkuara dhe Shteteve të Bashkuara – janë masakruar vazhdimisht nga militantë të dërguar nga mullahët. Në Europë, gjatë njëzet viteve të fundit, vrasje dhe tentativa të shumta terroriste kanë ndodhur kundër disidentëve iranianë. Muajin e shkuar, agjentë të Teheranit u arrestuan në Shqipëri ndërsa planifikonin sulmin mbi zyrat qendrore të PMOI / MEK, ku mbi 2,000 anëtarë jetojnë në mërgim.

Në qershor, një bashkëpunim i efektshëm midis autoriteteve të disa vendeve europiane ia dolën të parandalonin një sulm me bombë afër Parisit në rastin e tubimit të përvitshëm të Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit. Po të kishte patur sukses sulmi, është e paimagjinueshme se sa nga 100,000 pjesëmarrësit do të ishin vrarë, apo nëse viktimat do të kishin përfshirë qindra përfaqësuesit e lartë politikë nga e gjithë bota, të cilët ishin pjesëmarrës në atë eveniment.

Pak kohë pas asaj ndodhie, në fund të një hetimi të kryer në Shtetet e Bashkuara, një qytetar iranian dhe një amerikan me origjinë iraniane u akuzuan për spiunazh për Teheranin. Kallëzimi tregonte se shënjestra kryesore ishin aktivistët e PMOI / MEK, me mundësinë e lartë që sulmet terroriste kundër tyre të mbarteshin në Shtetet e Bashkuara.

Më së fundmi, tetorin e shkuar, autoritetet daneze shpallën arrestimin e një vrasësi të dërguar nga Teherani për të eliminuar aktivistë të opozitës që banonin atje. Kjo e bëri qeverinë e Danimarkës që t’u bënte një thirrje të fortë institucioneve europiane dhe Shteteve të tjera Anëtare duke sjellë në vëmendjen e të gjithëve rrezikun e vërtetë të kërcënimit terrorist që vjen nga Teherani. Pothuajse në të njëjtën kohë, pas një hetimi gjithëpërfshirës mbi ngjarjet e Parisit qershorin e shkuar, qeveria franceze vendosi sanksione mbi Ministrinë Iraniane të Inteligjencës dhe mbi disa nga agjentët e saj që njihen mirë. Kjo është pa dyshim rruga e duhur e veprimit.

197 anëtarë të Parlamentit Europian u kanë bërë apel institucioneve europiane që të përkrahin një hetim ndërkombëtar e të pavarur mbi masakrën e urdhëruar nga regjimi në 1988-ën, me kontributin personal të disa njerëzve të cilët mbajnë ende pozicione të rëndësishme qeveritare. Si shembull mund të përmendim Ministrat e Drejtësisë të zgjedhur nga “i moderuari” President Rouhani: ministri aktual Alireza Avaie dhe pararendësi i tij Mostafa Pourmohammadi.

Burimi: Komiteti Global për Sundimin e Ligjit