Thursday, March 28, 2024

Mini Raporti i së Enjtes për Iranin – 3 Janar 2019

  • Drejtësia e Iranit do të filtrojë Instagramin

Një zyrtar gjyqësor iranian shpalli se Irani është gati të filtrojë Instagramin, rrjetin social të shpërndarjes së fotove dhe videove.

Kreu i Departamentit të Hapësirës Virtuale në Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të Iranit tha se është dhënë një urdhër gjyqësor për të filtruar Instagramin dhe se shumica e anëtarëve të Këshillit Suprem të Hapësirës Virtuale, i cili ka për detyrë të mbikëqyrë internetin e Iranit, kanë rënë dakord për këtë filtër.

“Sipas Këshillit Suprem të Hapësirës Virtuale, qeveria duhet të nxjerrë një leje në mënyrë që kjo media sociale të jetë aktive në vend, dhe leja nuk është nxjerrë,” tha ai.

  • Shtatë Punëtorë të Kompanisë së Çelikut në Ahvaz Janë Ende në Burg

Mohammad Ali Jedari Forooghi, avokati i punëtorëve të arrestuar të Kompanisë së Çelikut të Ahvazit tha se ka ende shtatë punëtorë në burg.

Forooghi tha që shpreson se të gjithë punëtorët do të lirohen këtë javë.

Pas protestave të vazhdueshme të punëtorëve të çelikut në Ahvaz, 43 punëtorë janë arrestuar.

  • Ushqim me “Jashtëqitje Brejtësish” i Shërbehet të Burgosurve Politikë në Burgun e Madh të Teheranit në Iran

Ushqimi që shërbehet në Burgun e Madh të Teheranit (GTP) është johigjenik dhe në të janë gjetur jashtëqitje brejtësish, duke i sëmurur disa të burgosur, ka thënë gruaja e një të burgosuri politik që mbahet atje.

Më 26 dhjetor 2018, Mohammad Sharifi Moghaddam, një dervish Sufi i urdhrit të persekutuar Gonabadi, i cili po mbahet në krahun e sigurisë brenda këtij objekti, ka marrë kujdes mjekësor disa orë pas një helmimi nga ushqimi, ka thënë gruaja e tij, Faezeh Abdipour.

Ajo shtoi: “Ka shumë minj e insekte rreth e rrotull dhe në shumë raste, në ushqim janë parë jashtëqitje brejtësish,”.

Abdipour vazhdoi: “Këtyre të burgosurve jo vetëm që u mohohen nevojat bazë por e kanë gjithashtu shumë të vështirë të marrin shërbimet mjekësore. Mohammad-it iu desh të fliste me autoritetet për një kohë të gjatë përpara se t’i jepej leja për të shkuar në klinikën e burgut.”

  • Dy të Burgosura Shpallin Grevë Urie nga Mungesa e Kujdesit Mjekësor

Dy të burgosura politike në Iran, në një letër të përbashkët, kanë shpallur një grevë urie tre-ditore në protestë ndaj faktit që u mohohet kujdesi mjekësor.

Aktivistja e të drejtave njerëzore Narges Mohammadi dhe Nazanin Zaghari-Ratcliff, e cila ka shtetësi të dyfishtë britaniko-iraniane, janë ankuar se, pavarësisht ligjeve ndërkombëtare dhe iraniane si dhe lutjeve të tyre të vazhdueshme, e drejta për të marrë kujdesin mjekësor u është mohuar.

Në letër, ato shkruajnë se një doktor i akredituar nga autoritetet e burgut ka dhënë urdhër që ato të marrin shërbim mjekësor “në mënyrë urgjente” por autoritetet e burgut thjesht e kanë shpërfillur këtë kërkesë.