Mini Raporti i së Enjtes për Iranin – 24 Janar 2019

425

 

  • Irani Ka Arrestuar 7,000 Disidentë në ‘Vitin e Turpit’, Thotë Amnesty 

    The Guardian: Autoritetet iranaine kanë arrestuar mbi 7,000 disidentë vitin e shkuar me masa të rënda shtypëse që kanë rezultuar në burgosjen apo goditjen me kamzhik të qindra personave, vrasjen e të paktën 26 protestuesve, dhe vdekjen në burg të nëntë njerëzve në rrethana të dyshimta, sipas Amnesty International. Të ndaluarit gjatë shpërndarjeve të dhunshme të protestave paqësore në atë që Amnesty e ka quajtur “një vit turpi për Iranin” përfshijnë gazetarë, avokatë, aktivistë për të drejtat e minoriteteve dhe gra që protestonin kundër detyrimit për të mbuluar kokën.

  • Pse Vendimi i Gjermanisë për të Mbyllur Iranianen Mahan Air Është një Hap Madhor Kundër Terrorizmit 

    Ambasadori Richard Grenell për Fox News: Për të mbrojtur sigurinë e vet kombëtare, qeveria gjermane ndërmori hapin deciziv të hënën më 21 janar, për t’i mohuar kompanisë iraniane Mahan Air të drejtën për të zbritur avionët e saj në Gjermani në të ardhmen. Kjo kompani kishte operuar fluturime të shumta të përjavshme në aeroportet e Munich dhe Düsseldorf. Ne e përgëzojmë vendimin e qeverisë, i cili e pohon me të drejtë rolin e kësaj kompanie në mundësimin e mbështetjes së regjimit iranian për proksit terroristë që i shërbejnë regjimit të Assadit dhe në përhapjen e dhunës e terrorit në rajon – me efekte të drejtpërdrejta në sigurinë europiane.

  • Garancia e Stërmadhe e Vendosur për Shkrimtarët Iranianë Çon në Burgosjen e Tyre 

    Shoqata e Shkrimtarëve Iranianë (IWA) ka protestuar fuqishëm ndaj vendimit të autoriteteve gjyqësore për të kërkuar pagesën e garancive të stërmëdha e të papërballueshme për tre nga anëtarët e saj të akuzuar, gjë që ka çuar në burgosjen e tyre. Në një deklaratë të publikuar të martën më 22 janar, IWA thotë, garancia prej dhjetë bilion rial (afërsisht $240,000) e vendosur për Bektash Abtin, Kayvan Bazhan, dhe Reza Khandan Mahabadi “është e papranueshme” dhe ata duhet të lirohen menjëherë. 

  • Në Iran, Tokat e Thara të Zgavruara nga Pompimi i Ujit po Fundosen 

    Associated Press: Përgjatë rrugëve shfaqen të çara ndërsa në tokat e zonave rurale hapen vrima masive, grykat e të cilave janë një shenjë e dukshme nga lart e asaj që autoritetet iraniane e pohojnë haptazi tashmë: zona përreth Teheranit po fundoset në kuptimin e plotë të fjalës. E dëmtuar nga një thatësirë 30-vjeçare dhe e zgavruar nga pompimi i tepruar i ujit, peisazhi i tharë rreth kryeqytetit të Iranit ka nisur të fundoset në mënyrë dramatike. 

  • Regjimi Iranian Mbështet Maduro-n në Krizën e Venezuelës 

    Associated Press: Irani ka dënuar ngjarjet në Venezuelë, duke thënë se pretendimi i opozitës atje se mban presidencën, është një “grusht” dhe një përpjekje për të marrë pushtetin në mënyrë të jashtëligjshme. Në Teheran, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Bahram Ghasemi tha për reporterët të enjten se “Republika Islamike e Iranit mbështet qeverinë dhe popullin e Venezuelës kundër çdo lloj ndërhyrjeje të huaj dhe çdo veprimi jo-legjitim e të jashtëligjshëm të tillë si përpjekja për të bërë një grusht shteti.”

  • Pagesat dhe pensionet e vonuara shkaktojnë protesta të tjera në Iran

Të mërkurën, rrugët jashtë Majlis (parlamentit) të regjimit iranian u bënë skena të protestave të pensionistëve që kërkonin përgjigje nga zyrtarët dhe autoritetet e regjimit në lidhje me kërkesat e tyre.

Në raportime të tjera, punëtorët dhe punonjësit e bashkisë së Marivan, në Iranin perëndimor, bënë një tubim ku protestonin ndaj mos-marrjes së pagesave e pensioneve të tyre. Kjo është dita e tretë rresht që kjo protestë zhvillohet jashtë bashkisë së regjimit.

  • Regjimi Iranian torturon të burgosurit politikë duke ua mohuar kujdesin mjekësor

Saeed Shirzad-it, një i burgosur politik në burgun Rajaee Shahr në Karaj, i është mohuar kujdesi urgjent mjekësor pavarësisht faktit se doktorët kanë kërkuar transferimin e tij në spital për problemin e rëndë me veshkat një muaj më parë. Ndërkohë që prokuroria premtoi një muaj më parë se ai do të trajtohej, autoritetet e burgut e kanë ndaluar këtë tranferim. Gjithashtu, autoritetet e burgut Evin kanë refuzuar të transferojnë Narges Mohammadi-n dhe Nazanin Zaghari Ratcliffe në një spital. Mohammadi ka nevojë urgjente për kujdes mjekësor, si ilaçe kundër krizës.

  • Emiratet e Bashkuara dënojnë ndërhyrjen e Iranit në Lindjen e Mesme

Emiratet e Bashkuara Arabe kanë dënuar ndërhyrjet e Iranit në Lindjen e Mesme, duke e akuzuar se krijon tension dhe përbën një kërcënim serioz për stabilitetin e rajonit. Emiratet i bënë thirrje komunitetit ndërkombëtar dhe Këshillit të Sigurisë që t’i bëjnë presion Iranit për t’i dhënë fund ndërhyrjeve të tij dhe mbështetjes për militantët terroristë e sektarë.

  • Diplomati Iranian e Pranon se Europa Ka Prova të Forta për Komplotet e Teheranit

Në një pohim të paprecedent, ish-ambasadori iranian në Gjermani ka pranuar se europianët kanë “prova” për përfshirjen e Iranit në “spiunazh dhe terrorizëm”, të cilat Teherani nuk mund t’i mohojë lehtë.

Duke folur për Agjensinë shtetërore të lajmeve ISNA të mërkurën, më 23 janar, Ali Majedi përsëriti se lidhur me “përfshirjen e Iranit në terrorizëm e spiunazh, vendet europiane kanë paraqitur prova të cilat nuk mund të hidhen poshtë lehtë.”

Ali Majedi, ambasador iranian në Berlin (qershor 2014 – nëntor 2018), po i referohej një serie akuzash për terrorizëm dhe spiunazh që janë bërë kohët e fundit nga disa vende europiane, duke përfshirë Shqipërinë, Danimarkën, Gjermaninë, dhe Hollandën, kundër Republikës Islamike.