MEK Organizon Protesta Globale për një ‘Iran të Lirë’ – Washington Times

448

Nga Sedighe Shahrokhi

Ndërkohë që Irani pushton lajmet çdo ditë me rritjen e tensioneve në Gjirin Persik lidhur me disa sulme mbi cisternat e naftës, rezistenca iraniane është duke e ngritur profilin e lëvizjes së saj kundër regjimit në kryeqytetet perëndimore në Europë dhe SHBA, shkroi Washington Times të mërkurën, më 19 qershor.

Të shtunën e shkuar, disa mijëra iranianë u mblodhën përballë zyrave qendrore të BE-së në Sheshin Schuman dhe marshuan në qendër të Brukselit, thotë raporti.

Në raport shkruhet: “Sipas organizatorëve, marshimi në Bruksel ishte i pari i një serie marshimesh të iranianëve nëpër botë. Marshimi i radhës do të mbahet në Uashington, D.C., më 21 qershor. Kjo është hera e parë që opozita iraniane organizon një valë protestash madhore në kryeqytetet e mëdha perëndimore.”

“Përpara turmës folën personalitete të ndryshme,  duke përfshirë anëtarë të parlamentit europian dhe belg,” thotë raporti, duke shtuar se Maryam Rajavi, presidentja e zgjedhur e rezistencës iraniane foli në këtë eveniment me anë të një video-mesazhi dhe u kujtoi europianëve se Irani dy herë gjatë vitit të shkuar është kapur në flagrancë duke planifikuar sulme vdekjeprurëse terroriste. Të arrestuarit në komplotet e Parisit dhe Shqipërisë përfshijnë diplomatë iranianë.

“Operacionet terroriste në Europë, tentativat për sulme me bombë në Shqipëri e Francë, arrestimi i mercenarëve të regjimit iranian dhe i diplomatit terrorist të tij, si dhe përjashtimi i katër diplomatëve terroristë të tjerë të regjimit gjatë vitit të shkuar, kanë vërtetuar paralajmërimet e vazhdueshme të Rezistencës Iraniane se ambasadat e regjimit iranian në Europë janë të gjitha qendra për planifikimin dhe realizimin e komploteve kriminale të regjimit,” deklaroi znj. Rajavi.

Ajo u bëri thirrje qeverive europiane që të ndjekin shembullin e Shteteve të Bashkuara dhe të vënë sanksione mbi regjimin e mullahëve, si dhe ta etiketojnë IRGC-në si organizatë terroriste.

Sipas Shahin Gobadi-t të Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit, “kjo është hera e parë që një seri protestash me përmasa të tilla organizohet në mënyrë të vazhdueshme nga Rezistenca Iraniane dhe mbështetësit e saj në Perëndim.”

“Këto protesta po zhvillohen ndërkohë që regjimi iranian gjendet përballë një shoqërie shpërthyese që dëshiron ta përmbysë, dhe ndërkohë që regjimi kacafytet me një rezistencë mbarëkombëtare të udhëhequr nga Organizata Muxhahedine e Popullit të Iranit (PMOI ose MEK), brenda Iranit. Dhe ndryshe nga e shkuara, SHBA nuk po jep asnjë shenjë të një politike paqësimi për ta ndihmuar regjimin në këtë pikë kritike. Këto kriza i kanë ngritur në nivelet më të larta konfliktet e brendshme të regjimit midis Rouhani-t dhe Khamenei-t. Të gjitha këto tregojnë se regjimi është në fazën e fundit. Seria e marshimeve të iranianëve në vende të ndryshme është një përgjigje thelbësore ndaj kësaj situate.”

Protestuesit në Bruksel e quajtën “të turpshme” dhe “pa legjitimitet” politikën e paqësimit të Bashkimit Europian përkundrejt Iranit, sipas artikullit analizë-opinion të shkruar nga L. Todd Wood i Washington Times.

Administrata Trump po punon në mënyrë aktive për ta tharë financiarisht regjimin në Iran në mënyrë që ta detyrojë të ndryshojë sjellje. Qeveritë europiane kanë punuar në mënyrë aktive për t’i kundërshtuar këto sanksione të reja, shton artikulli.