Mbledhja e madhe i muxhahedinëve iranianë në Paris, mblodhi shumë politikanë shqiptarë, të majtë e të djathtë

1078

Gazeta Shqiptare

01/07/2017

Kongresi i muxhahedinëve iranianë që mbahet çdo vit në Paris, mblodhi shumë politikanë shqiptarë, të majtë e të djathtë. Siç dihet, opozita iraniane por edhe SHBA-të janë mirënjohëse ndaj Shqipërisë për arsye se kanë strehuar dhe mirëpritur rreth 3 mijë muxhahedinë në Tiranë.

Andaj, në takimet e përvitshme të organizatës në Paris, Shqipëria është vendi më i përfaqësuar. Ish-kryeministri Pandeli Majko nuk mungon asnjëherë në këtë kongres, madje vitet e kaluara kemi parë që ai ka mbajtur fjalime duke entuziasmuar mijëra të ftuarit.

 

Këtë vit, deputeti i PS-së ka zgjedhur të shkojë me bashkëshorten. Siç shihet në foton që po publikon GSH.al, Pandi shoqërohet nga gruaja dhe që të dy janë ulur në podiumin kryesor, në krah të Newt Gingrich, Bernard Kouchner dhe aktivistes së njohur Ingrid Betancourt, e cila ka qenë peng i FARC-ut në Kolumbi.

 

Ndërkohë, deputeti i PS-së, Ylli Ziçishti ka zgjedhur të shkojë me vajzën e tij, Kristin.

 

Pavarësisht turizmit politik të gjysmës së parlamentit në Paris, duhet thënë se ky është P.R mjaft i mirë për Shqipërinë në botë, si një vend mikpritës ndaj refugjatëve dhe personave në nevojë.