Tubim në Londër në mbështetje të protestave të Iranit
Mbështetësit anglo-iranianë të Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (PMOI), e njohur gjithashtu si Mujahedin-e Khalq (MEK), në Mbretërinë e Bashkuar zhvilluan një tubim jashtë Kryeministrisë në Londër për të përkujtuar mbi 1500 martirët e protestave të Iranit në ditën e 40-të pas vdekjes së tyre.
Ata u bënë homazhe martirëve që dhanë jetën për liri dhe mijëra njerëzve që janë arrestuar e gjenden përballë torturës dhe ekzekutimit.
Pjesëmarrësit në tubimin e Londrës i bënë thirrje Qeverisë Britanike dhe aleatëve të saj në Bashkimin Europian e në Kombet e Bashkuara që t’i kërkojnë llogari regjimit iranian për krimet e tij kundër njerëzimit. Ata kërkuan që komuniteti ndërkombëtar t’i bëjë presion regjimit për të liruar menjëherë mbi 12,000 protestues.
Pjesëmarrësit në tubimin e Londrës i bënë thirrje gjithashtu Qeverisë Britanike që ta nxisë Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së dhe Komisioneren e Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut për të dërguar menjëherë në Iran një mision të gjetjes së fakteve, i cili të hetojë përmasat e vrasjeve dhe të vizitojë qendrat e paraburgimit të regjimit për të monitoruar çdo keqtrajtim të të burgosurve në rastet e torturimeve dhe rrëfimeve të detyruara. Mbështetësit e MEK kërkuan gjithashtu që qeverita britanike t’i bëjë thirrje Këshillit të Sigurisë të OKB-së që ta deklarojë masakrën e protestuesve iranianë si krim kundër njerëzimit dhe t’i sjellë para drejtësisë personat përgjegjës për këto krime, duke përfshirë Presidentin e regjimit, Hassan Rouhani, dhe Liderin Suprem Ali Khamenei.
Në tubimin e Londrës mori pjesë edhe z. Roger Lyons, ish-president i Kongresit të Unionit të Profesioneve (TUC) dhe ish Sekretar i Përgjithshëm i unionit të profesioneve të Prodhimit, Shkencës dhe Financës (MSF).