MARYAM RAJAVI: Nga IRANi në IRAk e Liban, po shohim që regjimit të mullahëve po i afrohet vdekja

1127

Komentet e Maryam Rajavi-t në takimin me zyrtarë të zgjedhur francezë

Një grup personalitetesh e zyrtarësh të zgjedhur të Francës morën pjesë në një mbledhje në Auvers-sur-Oise të enjten, më 7 nëntor 2019, ku u takuan me Maryam Rajavi-n. Ata diskutuan disa nga çështjet politike më të rëndësishme të ditës për sa i përket Iranit dhe situatës së regjimit të mullahëve në Iran dhe në Lindjen e Mesme. Në një pjesë të fjalimit të saj në këtë takim, Maryam Rajavi tha:

Sot, Ashraf-3 është bërë vatra e shpresës për betejën e popullit iranian për liri. Njësitë e Rezistencës i kanë zgjeruar veprimtaritë e tyre brenda Iranit.

Muajt e fundit, të rinjtë e Iranit nuk i kanë lënë të qetë mullahët për asnjë sekondë. Ata kanë dëmtuar kudo posterat që mbështesin liderët e regjimit.

Që nga kryengritja që nisi në dhjetor 2017, shoqëria iraniane ka qenë në një gjendje shpërthyese dhe pavarësisht represionit masiv, protestat dhe demonstratat kanë vazhduar në pjesë të ndryshme të vendit.

Së fundmi, mijëra njerëz në Lordegan të Iranit jug-perëndimor, zhvilluan një protestë madhore, duke u vënë zjarrin zyrave të Guvernatorit dhe përfaqësuesit të Khamenei-t, si dhe qendrave të tjera të pushtetit të regjimit në qytet.

Studentët, mësuesit, punëtorët e pensionistët i kanë vazhduar protestat e tyre. Qytetarët janë të zemëruar për shkak të katër dekadave të gjata plot shtypje, misogjini, korrupsion financiar, kriza ekonomike, dhe shkatërrim të mjedisit. Njerëzit kërkojnë ndryshim regjimi.

Këto zhvillime, së bashku me lëvizjet popullore në Irak e Liban, e minojnë edhe më tej statusin e regjimit. Siç e dini shumë mirë, pas pushtimit të Irakut në vitin 2003, Shtetet e Bashkuara ia dorëzuan Irakun Iranit në një pjatë të argjendtë. Që atëherë, dhuna, ekstremizmi dhe konfliktet sektare janë zgjeruar në Irak dhe nga atje janë përhapur në të gjithë rajonin.

Në Liban, regjimi iranian i kishte shpënë në një rrugë pa krye të gjitha zhvillimet politike dhe shoqërore përmes Hezbollahut, duke e marrë peng atë vend.

Sot në Irak, simboleve të regjimit iranian po u vihet flaka. Posterat me foto të Ali Khamenei-t, Khomeini-t dhe Qassem Soleimani-t po i shqyejnë, pikërisht si në Iran.

Protestuesit kanë sulmuar konsullatën e regjimit iranian në qytetin e shenjtë Karbala. Militantët proksi të Teheranit hapën zjarr, duke vrarë dhjetëra njerëz. Në Liban po rritet kundërshtimi ndaj rolit që luan Hezbollah.

Khamenei ka thënë se Iraku, Siria dhe Libani përfaqësojnë  thellësinë strategjike të regjimit të tij dhe nëse Garda Revolucionare nuk lufton në Siri e Irak, do t’i duhej të luftonte armikun në rrugët e Teheranit e të qyteteve të tjera. Dhe tani, kjo thellësi strategjike po bie në copa. Nga Irani në Irak e Liban po shohim që sundimit të mullahëve po i afrohet vdekja.

Khamenei i ka paralajmëruar forcat e tij ushtarake që të mos e nënvlerësojnë armikun dhe ta mbajnë nën survejim. Kush është ky armik? Populli iranian.

Javën e shkuar, në një takim në Asemblenë Kombëtare Franceze, unë thashë se bisedimet pa mbarim me liderët e regjimit të mullahëve janë përqasja e gabuar. Mullahët janë bashkëbisedues të pabesë. Përballë kësaj gjendjeje diplomatike pa rrugëdalje, Franca duhet të ndërmarrë një përqasje tjetër dhe të qëndrojë në anën e popullit iranian dhe Rezistencës së tij, gjë për të cilën ju, si miq të popullit dhe Rezistencës iraniane, keni qenë nismëtarë.

Ju falenderoj shumë të gjithëve.