Shkruar nga Shamsi Saadati më 21 prill 2019.
Nga Shamsi Saadati
Emigrimi masiv i pilotëve iranianë është një gjë që tashmë njihet gjerësisht si “kriza e aviacionit të Iranit”.
Arsyeja kryesore pse shumë pilotë po emigrojnë gjendet në vështirësitë ekonomike të Iranit, papunësinë, të ardhurat e vogla, mungesën e sigurisë, dhe shumë faktorë të tjerë.
Vetëm brenda pak muajve të shkuar, mbi 100 pilotë kanë emigruar për në Turqi, Emirate, Katar, e vende të tjera fqinje; ku ekonomia, punësimi, dhe kushtet e jetesës në përgjithësi, janë shumë më të mira.
Sipas raporteve nga Aviacioni i Iranit, ka patur një rënie prej 13% në punësim nga viti 2017 deri në 2018-ën.
Në shtator 2015, një anëtar i Bordit iranian të Pilotëve, i quajtur Gholamreza Mohammadi, deklaroi: “asistentët e pilotëve në vendet fqinje fitojnë 10 deri në 12 mijë dollarë ndërkohë që pilotët tanë fitojnë vetëm 3 milion toman këtu”.
“arratisja masive”
Inspektori i Organizatës iraniane të Aviacionit Civil, Mohammad Ali Hojjati, deklaron: “pilotët tanë po emigrojnë pa dëshirë sepse, ose kanë vështirësi me punësimin, ose nuk i marrin rrogat në kohë; prandaj, disa prej tyre rrinë e vuajnë ndërkohë që të tjerë emigrojnë”. Hoajjari i referohet emigrimit të tyre si një “arratisje masive e paorganizuar”. (Gazeta Etemad)
Për ta parandaluar këtë arratisje, kompanitë ajrore iraniane po përdorin tani disa taktika për t’i mbajtur në vend pilotët; për shembull, duke ofruar kontrata afat-gjata strikte, ose duke vonuar dhënien e çertifikatave të tyre; apo edhe duke pezulluar çertifikimin e pilotëve tashmë të liçensuar.
Të privuar nga e drejta për të kundërshtuar
Sipas Hojjati-t: “pakënaqësia e pilotëve tanë mund të rezultojë në tarifa shtesë të cilat shpesh fshihen në gjëra si karburanti, fluturimet e vonuara, zhvlerësimin e pjesëve të avionëve, e kështu me radhë”.
Hojjati shton se pilotët e pakënaqur mund ta shprehin pakënaqësinë e tyre edhe duke “mos zbatuar kërkesat e fluturimeve” dhe si pasojë, duke vënë në rrezik sigurinë e fluturimeve; për këtë arsye, Hojjati ka bërë thirrje që kompanitë ajrore të marrin në konsideratë përmirësimin e disa prej përqasjeve të tyre.