Friday, September 13, 2024

Kohërat e Errëta të Iranit Nxirren në Dritë

Një raport i ri investigues u publikua nga Amnesty International të hënën. Ky raport shqyrton mënyrat se si po zhduken shenjat e varreve masive të të burgosurve politikë që u ekzekutuan në Iran në 1988.

Raporti thotë, “Sot, nuk dihet ende me saktësi se sa të burgosur u ekzekutuan pa gjyq në vitin 1988, megjithëse llogaritjet minimale janë midis 4,000 dhe 5,000.”

AP raporton, “grupet ndërkombëtare të të drejtave kanë llogaritur se u ekzekutuan deri në 5,000 njerëz ndërsa Mujahedeen-e-Khalq ka dhënë numrin 30,000.”

Varret masive janë rrafshuar gradualisht për t’iu shmangur çdo përgjegjësie të mundshme në të ardhmen, raporti shton, “Të dhënat identifikojnë shtatë vendndodhje të dyshuara apo të konfirmuara të varreve masive të cilat janë shkatërruar ndërmjet 2003 dhe 2017. Ato ndodhen në varrezën Behesht Reza në Mashhad të provincës Khorasan Razavi; në varrezën Behesht Abad në Ahvaz të provincës Khuzestan; në varrezën Vadieh Rahmat në Tabriz të provincës së Azerbaixhanit Lindor; në varrezën Golestan Javid në Khavaran; varrezën Tazeh Abad në Rasht të provincës Gilan; varrezën e Baha’i në Qorveh të provincës Kurdistan; si dhe në truallin e ish-godinave të Gjykatës Revolucionare në Sanandaj, provinca Kurdistan, apo afër këtyre zonave.”

Një raport i Amnesty  i vitit 1990 thoshte, “Disave u kërkohej të identifikoheshin. Ata që përgjigjeshin ‘muxhahedin’ ekzekutoheshin, ndërsa të tjerëve u kërkohej gatishmëria e tyre për të ‘pastruar fushat e minuara për ushtrinë e Republikës Islamike’.”

AI bëri thirrje për një komision hetues për të hetuar zyrtarët e “Komisionit të Vdekjes” (sic njihej midis të ish të burgosurve politikë të Iranit) shumë prej të cilëve, sipas raportit të AI, mbajnë ende pozicione në regjimin iranian. Raporti shtoi se asnjë zyrtar iranian nuk është hetuar apo sjellë përpara drejtësisë.

Dy shembuj të njohur janë Ebrahim Raisi sfidues i Hassan Rouhanit në zgjedhjet presidenciale të vitit të shkuar dhe tani kujdestar i Fondacionit më të pasur Imam Reza në Mashhad, si dhe Mostafa Pour-Mohammadi, Ministri i Drejtësisë së Iranit në kabinetin e parë të Rouhanit. Rouhani zgjodhi gjithashtu edhe Alireza Avii, një tjetër anëtar i Komisionit të Vdekjes për të drejtuar Ministrinë e Drejtësisë në kabinetin e tij të dytë.

Komisioni i vdekjes mbikëqyri masakrimin e 30,000 të burgosurve politikë në verën e vitit 1988, shumica prej të cilëve ishin anëtarë dhe mbështetës të opozitës Organizata e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (PMOI or MEK). Raisi dhe Pour-Mohammadi ishin dy nga katër anëtarët e Komisionit të Vdekjes.

Thuhet që Khomeini nxori një fatwa, një dekret fetar, që autorizonte masakrën që ndodhi në verën e vitit 1988. Supozohet se komisioni dha rreth 30,000 dënime me vdekje. Gjyqet zgjatnin mesatarisht tre minuta. Disa nga të burgosurit politikë që i kanë mbijetuar masakrës kanë shkruar dhe folur për përvojat e tyre të tmerrshme.

Gjyqtarët bënin vetëm një pyetje, “A beson akoma në Muxhahedin?” Tregimet e tmerrshme të të mbijetuarve, veçanërisht të të burgosurave femra, shpesh i lënë dëgjuesit të tronditur.

Një regjistrim audio i publikuar në faqen e tij të internetit nga i biri i Ayatollah Hossein-Ali Montazerit në gusht 2016 nxori në dritë shumë nga këto gjëra. Montazeri i kundërshtoi ekzekutimet masive në 1988. Ai e kaloi pjesën e mbetur të jetës nën arrest shtëpie dhe vdiq në vitin 2009. Montazeri mund të dëgjohet në regjistrim duke u thënë Komisionit të Vdekjes në një mbledhje të tyre se ata janë përgjegjës për një krim kundër njerëzimit. “Krimi më i madh i kryer gjatë sundimit të Republikës Islamike, për të cilin do të na dënojë historia, është kryer nga ju. Emrat tuaj në të ardhmen do të gdhenden në analet e historisë si kriminelë,” ka thënë ai.

VIDEO: The untold story of the 1988 Massacre in Iran

Pour-Mohammadi që atëherë jo vetëm që e ka pranuar rolin e tij në Komisionin e Vdekjes, por edhe është mburrur se është krenar që ka “zbatuar vullnetin e zotit dhe nuk ka ndenjur zgjuar natën nga ajo që ka bërë.”

Në raportin e Amnesty gjithashtu shkruhet, “Shumica e atyre që u ekzekutuan pa gjyq kishin patur dënime të gjata në burg, dënime që shpesh u ishin dhënë për mospajtimet e tyre paqësore, duke përfshirë aktivitete si shpërndarja e gazetave dhe fletushkave, pjesëmarrja në demonstrata paqësore kundër qeverisë, si dhe pasja e lidhjeve të vërteta apo të supozuara me grupe të ndryshme opozitare. Disa prej tyre ishin liruar disa vite më parë dhe u ri-arrestuan në javët përpara vrasjeve. Të tjerë e kishin kryer dënimin e tyre por nuk ishin liruar sepse kishin refuzuar të bënin deklarime ‘pendimi’.”

Dhoma e Përfaqësuesve të SHBA miratoi një projekt-ligj që dënon shkeljet e të drejtave të njeriut në Iran duke përfshirë masakrën e të burgosurve politikë në 1988. Kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme, Ed Royce, ka shkruar, “Veprimi më i keq kundër popullit iranian ka qenë ekzekutimi i 30,000 të burgosurve politikë në Iran nga regjimi gjatë një periudhe katër mujore në vitin 1988. Shumë nga ata të burgosur e kishin kryer dënimin me burg përpara ekzekutimit.”

Vazhdojnë thirrjet për drejtësi për viktimat, ashtu siç vazhdojnë edhe thirrjet ndaj komunitetit ndërkombëtar për të ndërhyrë në emër të atyre të burgosurve dhe familjeve të tyre. Projekt-ligji i ri i dhomës dënon gjithashtu edhe taktikën e marrjes peng midis shtetasve të huaj dhe iranianëve që mbajnë shtetësi të dyfishtë, taktikë që duket se po përdoret nga regjimi.