Konferenca në Senatin Italian: Duhet të përditësohen individët e etiketuar në masat kufizuese të BE-së në përgjigje ndaj shkeljeve të rënda të të drejtave njerëzore në Iran
Shoqata ndërkombëtare Hands off Cain zhvilloi një konferencë për shtyp në Senatin Italian më 13 shkurt, ku prezantoi një listë me emrat dhe historikun kriminal të 23 zyrtarëve të regjimit iranian, duke e nxitur Bashkimin Europian që t’i futë këta individë në listën e zezë.
Kjo konferencë u mbështet dhe u mirëprit nga senatorë italianë dhe politikanë të spikatur të cilët morën pjesë në të, duke e sjellë këtë çështje në vëmendjen e shtypit dhe zyrtarëve politikë italianë. Kjo konferencë u mbajt njëkohësisht me shtimin e zyrtarëve të regjimit iranian në listën e sanksioneve të BE-së.
Konferenca u drejtua nga Znj. Elisabetta Zamparutti, një zyrtare e shoqatës Hands off Cain. Në event morën pjesë edhe ish Ministri i Jashtëm italian Giulio Terzi. Deputeti Federico Mollicone, Senator Roberto Rampi, anëtar i Komisionit të Senatit për të Drejtat e Njeriut, Senator Lucio Malan, Znj. Laura Harth, përfaqësuese e Partisë Radikale Transnacionale italiane në Kombet e Bashkuara, Znj. Elisabetta Rampelli dhe Z. Mahmoud Hakamian nga zyra përfaqësuese në Itali e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI). Ky event në Senatin Italian është mbuluar nga mediat italiane si TV italian 24-orësh, Agjencia e Lajmeve Kronos, Radio Radical, dhe e përditshmja Il Tempo.
Në fillim të konferencës, Znj. Zamparutti, duke iu referuar pranisë së Këshilltarit të Ambasadës Shqiptare në Romë në konferencë, tha: “Të gjithë e vlerësojmë veprimin e qeverisë shqiptare për të pranuar mbi 2,500 anëtarë të Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit [PMOI/MEK], gjë që e ka zemëruar regjimin iranian.” Ajo përmendi edhe faktin që ky veprim e detyroi liderin suprem të regjimit, Ali Khamenei, që ta quante Shqipërinë një vend të vogël e të lig, gjë që solli menjëherë reagimin e presidentit dhe kryeministrit shqiptar në mbështetje të MEK.
Znj. Zamparutti shtoi se pas demonstratave të fundit në Iran dhe vdekjes së mbi 1,500 demonstruesve, qeveria amerikane ka futur në listën e zezë disa persona përgjegjës për këto vrasje, dhe ne duam ta mbështesim këtë politikë të drejtë.
Senator Roberto Rampi, anëtar i Komisionit për të Drejtat e Njeriut në Senatin Italian, tha se Bashkimi Europian duhet të marrë masa të konsiderueshme kundër abuzimeve ndaj të drejtave njerëzore në Iran. Ai vuri në dukje gjithashtu faktin që regjimi iranian rrëzoi një avion ukrainas duke u marrë jetën 176 njerëzve të pafajshëm por nuk u dënua për këtë gjë nga Bashkimi Europian.
Më pas në konferencë foli ish ministri i jashtëm italian, Giulio Terzi. “I pamë sot këto foto dhe këto krime, por fatkeqësisht Europa vazhdon ende të negociojë e të bëjë marrëveshje me këtë regjim,” tha Z. Terzi. “Ata janë përgjegjës për vrasjen e grave, fëmijëve e të rinjve të pafajshëm. Ka patur shumë veprimtari në gjykatat e Berlinit kundër kriminelëve [të regjimit nazist] dhe shumë prej tyre janë dënuar, por nuk e kuptoj pse nuk ndërmerret asnjë veprim kundër atyre kriminelëve në Iran, ndoshta i konsiderojnë të shenjtë”. Z. Terzi shprehu gjithashtu mirënjohjen e tij ndaj qeverisë shqiptare për pranimin e anëtarëve të MEK.
- Terzi e mbylli fjalën e tij duke thënë se është e nevojshme të dërgohet një mision i pavarur i gjetjes së fakteve nga Kombet e Bashkuara në Iran për t’i monitoruar nga afër abuzimet ndaj të drejtave njerëzore.