Shpërthimi i Koronavirusit – Irani po Kthehet në Epiqendër të Koronavirusit
Që nga shpërthimi i Koronavirusit në Iran, regjimi klerikal, në vend që të merrte masat e nevojshme parandaluese, e ka fshehur të vërtetën, gjë që ka rezultuar në mbi 1200 vdekje duke e kthyer Iranin në epiqendër të COVID-19.
Organizata Muxhahedine e Popullit të Iranit (PMOI, Mujahedin-e Khalq ose MEK) shpalli të martën, më 3 mars 2020, se deri në 8:00 pasdite me orën lokale, numri i vdekjeve nga Koronavirusi e kishte tejkaluar shifrën 1,200. Shumica e viktimave janë nga qyteti Qom. Raporti tregon se kanë humbur jetën 300 viktima në Qom, 215 në Teheran, 70 në Rasht, 12 në Lahijan, 6 në Astaneh, 60 në Mashhad, 43 në Isfahan, 23 në Kashan, 10 në Dastgerd, 54 në Gorgan, 45 në Arak, 45 në Kermanshah, 38 në Shiraz, 39 në Karaj, 23 në Khorramabad, 20 në Qazvin, 10 në Zahedan, 16 në Iranshahr, 12 në Boushehr, dhe mbi 100 në provincën Mazandaran.
Përhapja e shpejtë e Koronavirusit në Iran dhe përçimi i tij në vende të tjera të botës është rezultat i fshehjes, gënjeshtrave, dhe keqinformimit që regjimi i ka bërë për javë të tëra publikut.
Ndërkohë që të gjitha vendet e tjera i kanë anulluar të gjitha fluturimet nga Kina apo drejt saj, sipas flighttradar24, një platformë online e gjurmimit të fluturimeve, fluturimet nga Irani drejt Kinës nga Mahan Air kanë vazhduar. Mahan Air është në pronësi të Gardës Revolucionare (IRGC) të regjimit.
Më 28 shkurt, autoritetet e Queensland në Australi thanë se një grua 63-vjeçare, e cila kishte ardhur së fundi nga Irani, ishte diagnostikuar me COVID-19. Gjithashtu, sipas autoriteteve të Zelandës së Re, personi i parë në këtë vend i diagnostikuar me koronavirus kishte ardhur nga Irani.
Mediat shtetërore të regjimit iranian shkruan gjithashtu më 1 mars se: “Zyrtarët kanadezë thanë javën e shkuar se shtatë qytetarë të tyre që ishin kthyer nga Irani ishin diagnostikuar me Koronavirus.”
Gjithashtu, New York Times shkroi më 28 shkurt se: “Infektimet në vendet fqinje, madje edhe disa në Kanada, Norvegji e Zelandë të Re, e kanë origjinën nga Irani.” Associated Press raportoi gjithashtu: “Të gjitha rastet e Bahreinit e kanë marrë virusin nga Irani.”
Pavarësisht rritjes së numrit të vdekjeve nga Koronavirusi në Iran dhe mosveprimit e fshehtësisë së regjimit, Lideri Suprem Ali Khamenei u përpoq paturpësisht ta minimizonte seriozitetin e krizës, duke e quajtur “bekim,” e duke lavdëruar të ashtu-quajturën “transparencë” të zyrtarëve të regjimit. Ai tha: “Kjo nuk është ndonjë katastrofë e madhe, kemi patur probleme më të mëdha.” Ky është një “problem kalimtar” dhe nuk është ndonjë gjë e “jashtëzakonshme.” Ai vazhdoi: “zyrtarët tanë e kanë informuar publikun që në fillim me besim, ndershmëri, e tranparencë, dhe e kanë mbajtur publikun të informuar, por disa vende të tjera ku shpërthimi i virusit është më i rëndë e më epidemik po e fshehin problemin.” Gjithashtu, të martën, Ali Rabiei, një zëdhënës për presidentin e regjimit Hassan Rouhani, pretendoi se regjimi iranian ka patur përqasjen më transparente për sa i përket Koronavirusit.
Lidhur me këtë, Znj. Maryam Rajavi, presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), duke iu referuar komentit të paturpshëm të Khamenei-t, tha: “E vetmja gjë që ka rëndësi për këtë regjim e për zyrtarët e tij është mbajtja e pushtetit. Jetët, shëndeti dhe burimet e popullit nuk kanë asnjë vlerë për mullahët në pushtet. Populli iranian ka pësuar dëmet dhe humbjet më të mëdha nën sundimin e tyre, si rezultat i luftërave të jashtme, represionit brenda vendit, varfërisë, papunësisë, dhe sëmundjeve.”
Ndërkohë, shkalla dhe përmasat e shpërthimit të Koronavirusit në Iran i kanë detyruar zyrtarët e regjimit t’i pranojnë disa aspekte të kësaj krize. Për shembull, Masoud Pezeshkian, zëvendës-kryetari i parë i parlamentit të regjimit dhe ish-ministër i shëndetit, pohoi: “Duhej ta kishim vënë në karantinë qytetin Qom që në fillim… kjo sëmundje nuk është shaka, kështu siç po e trajtojmë ne.” “Spitalet janë të tejmbushura dhe nuk ka vend për pacientë të tjerë, dhe gjërat do të përkeqësohen dita ditës. Ekonomia dhe gjithçka do të shkatërrohet, nuk është shaka. Çfarë do të kishte ndodhur po ta kishin mbyllur vendin për 15 ditë? (duke iu referuar shpërthimit të parë në qytetin Qom). Po ta kishim bërë këtë ditën e parë, nuk do të ishte përhapur në mbarë vendin.” Ai shtoi: “Shifrat e dhëna nuk janë të vërteta, pasi një numër pacientësh nuk kanë simptoma. Gjejmë 95 njerëz dhe dy vdesin, pastaj themi se 2 kanë vdekur nga 100, ndërkohë që ndoshta vetëm 2% nga 10,000 kanë vdekur,” tha Pezeshkian.
Nisur nga ky rezultat i tmerrshëm, rritja e numrit të vdekjeve dhe përhapja e përçimi i shpejtë i Koronavirusit në Iran e në vende të tjera, komuniteti ndërkombëtar e ka për detyrë ta ndihmojë popullin iranian që t’i shmanget një krize ndërkombëtare.
Siç ka thënë Znj. Maryam Rajavi: “Kombet e Bashkuara, Organizata Botërore e Shëndetit, dhe organizatat e tjera ndërkombëtare të të drejtave njerëzore duhet ta detyrojnë fashizmin fetar që sundon Iranin t’i bëjë publike të gjitha faktet dhe shifrat për sa i përket COVID-19 dhe t’ua japë ato organizatave përkatëse ndërkombëtare në mënyrë që të shpëtohen jetët e popullit të Iranit e të vendeve të tjera në rajon.”