Thirrje ndërkombëtare për të ndaluar dënimin brutal me vdekje në Iran
Në një situatë kur valët e kryengritjes mbarëkombëtare dhe vala e protestave sociale po tund themelet e regjimit të mullahëve dhe populli iranian në mënyrë unanime kërkon rrëzimin e këtij sistemi kriminal dhe ogurzi, Khamenei po përpiqet të vonojë rrëzimin e regjimit të tij të dënuar duke intensifikuar vrasjet dhe ekzekutimet.
Të mërkurën në mëngjes, më 14 shkurt, ekzekutuesit e regjimit varën kolektivisht dhjetë të burgosur në një akt kriminal të tmerrshëm në burgun e Gohardashtit. Të burgosurit ishin transferuar në qelitë e izolimit një ditë para në pritje të dënimit me vdekje. Një nga të ekzekutuarit ishte një qytetar afgan.
Ekzekutuesit vendosën 13 të burgosur në platformën e ekzekutimit dhe iu vunë lakun rreth qafës. Megjithatë, pasi panë ekzekutimin e 10 prej shokëve të tyre të qelisë, tre prej tyre i zbritën dhe i futën në qelitë e tyre ku nuk ishin në gjendje as të flisnin pasi kishin parë atë skenë të tmerrshme.
Duke shprehur indinjatën e thellë për këtë krim të tmerrshëm dhe duke ndarë dhimbjen me familjet e të ekzekutuarve, Rezistenca iraniane i bën thirrje Kombeve të Bashkuara dhe të gjitha organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut që të marrin masa të menjëhershme dhe efektive për të ndaluar ekzekutimet në Iran. Tregtia me këtë regjim të egër duhet të kushtëzohet me përmirësimin e situatës së të drejtave të njeriut dhe udhëheqësit e këtij regjimi duhet të përballen me drejtësinë për krime kundër njerëzimit.