NCRI – Asma Jahangir, Raportuesja Special për situatën e të drejtave të njeriut në Iran, u intervistua nga studiot e Al Arabiya në Kombet e Bashkuara rreth situatës aktuale në vend.
Ajo tha, se në shumë zona të vendit ka shkelje të rënda të të drejtave të njeriut – si sundimi i ligjit, mohimi i procesit të rregullt, ligjet diskriminuese, njerëzit që diskriminohen në baza fetare dhe etnike dhe tortura. Ajo tha, se beson se qeveria iraniane po fillon ti shqyrtojë këto shkelje, por hapat që po merren për ti zgjidhur ato janë “shumë të vogla”. Qeveria e di, se ka çështje që duhet të zgjidhen, por ajo theksoi se nuk mund të vazhdojë të lejojë që ato të zvarriten, sepse ndërgjegjësimi po rritet anembanë botës.
Përsa i përket protestuesve në Iran që kërkojnë përmirësim të situatës së të drejtave, Jahangir tha se ajo nuk do t’i dekurajojë ata që të mos ngrenë zërin, pavarësisht se rrezikojnë paraburgim dhe torturë. Ajo u kujtoi atyre, se është e drejta e çdo qytetari në botë, që të flasë për të drejtat e tyre dhe kundër incidenteve ku shkelen të drejtat.
Në raportin e saj të fundit, Jahangir i bëri thirrje qeverisë iraniane ti japi fund torturave dhe të lirojë të burgosurit, si dhe një numër rekomandimesh të tjera, por ajo nuk është e sigurtë se ato do të respektohen. Ajo vuri në dukje, se nuk duhet të ketë tolerancë për shkeljet e të drejtave të njeriut ndaj njerëzve që thjesht kërkojnë të drejtat e tyre, ose njerëzit që luftojnë për të drejtat e të tjerëve.