Zyra e Z. Gérard Deprez, MEP, Kreu i Miqve të Iranit të Lirë në Parlamentin Europian ka lëshuar sot këtë deklaratë.
Bruksel-18 Qershor 2018. Me shumë keqardhje dhe zemërim morëm vesh se sot në mëngjes, e hënë 18 qershor 2018, Republika Islamike e Iranit ekzekutoi një njeri të pafajshëm nga minoriteti fetar Sufi i vendit.
Mohammad Salas, 51, një Dervish Gonabadi (Sufi), u arrestua në shkurt 2018 gjatë protestave në Teheran. Ai u torturua, duke i thyer dhëmbët, hundën dhe brinjët; pati nevojë për 17 qepje në kokë, humbi shikimin dhe ndërgjegjen, dhe u detyrua të firmoste një “rrëfim” të rremë i cili u përdor më vonë për ta dënuar me vdekje.
Amnesty International i kishte bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të “Bëjnë gjithçka që kanë mundësi për të ndaluar ekzekutimin.”
Z. Salas kishte shpallur vazhdimisht se ishte detyruar nën torturë të pranonte akuza në të cilat nuk ishte i përfshirë. Sipas dëshmitarëve që nuk u lejuan të dëshmojnë në gjyq, Salas ishte arrestuar dhe rrahur disa orë përpara incidentit për të cilin u akuzua më vonë.
Miqtë e Iranit të Lirë në Parlamentin Europian, që ka mbështetjen e shumë MEP nga të gjitha grupet politike, ka bërë fushatë për të ndaluar ekzekutimin e Z. Salas.
Ne i bëjmë thirrje Përfaqësueses së Lartë të BE Federica Mogherini dhe Presidentit të Parlamentit Europian Antonio Tajani ta dënojnë menjëherë këtë akt brutal barbarizmi që është kryer nga regjimi iranian.
Javët e fundit, ndërsa zyrtarët e BE duket se janë fokusuar vetëm në marrëveshjen bërthamore të Iranit, regjimi iranian ka persekutuar disidentë dhe aktivistë të shoqërisë civile, duke u dhënë dënime të rrepta.
Ne vazhdojmë të ngulim këmbë se çdo avancim i marrëdhënieve të BE me Iranin duhet të jetë i kushtëzuar nga një përmirësim i qartë i të drejtave njerëzore, të drejtave të grave dhe ndalim i ekzekutimeve.
Gérard Deprez, MEP
Kreu, Miqtë e Iranit të Lirë në Parlamentin Europian
Miqtë e Iranit të Lirë (FoFI) është një grup informal në Parlamentin Europian i cili u formua në 2003 dhe ka mbështetje aktive nga shumë MEP nga grupe të ndryshme politike.