Një nga agjensitë e regjimit ka konfiskuar shtëpinë e të burgosurve politikë Fatemeh Mossanna dhe të shoqit, Hassan Sadeqi, të cilët mbahen përkatësisht në burgjet Evin dhe Gohardasht të Iranit. Më pas, para 10 ditësh, e njëjta agjensi ua mori edhe biznesin që i përkiste çiftit.
Djali i tyre, Iman Sadeqi, tha, “Pasi konfiskuan një pjesë të madhe të pronave tona, kanë konfiskuar tani edhe vendin e vetëm që familja jonë ka për banim. Sipas Kodit Penal, gjykata nuk mund të marrë një pronë konfiskimi i së cilës privon bashkëshortin apo bashkëshorten, fëmijët dhe persona të tjerë nën kujdestarinë e një të burgosuri, nga ushqimi, veshja dhe strehimi.”
Sipas Iman Sadeqi-t, prindërit e tij vuajnë nga sëmundje të ndryshme dhe u nevojitet kujdesi mjekësor. Megjithatë, autoritetet gjyqësore nuk kanë bashkëpunuar, dhe prindërit e tij nuk janë lejuar të shkojnë në spital për të cilin ai kishte paguar vetë.
Para se të martoheshin, Fatemeh Mossanna dhe Hassan Sadeqi ishin mbështetës të Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI/MEK) dhe u burgosën të dy në vitet 1980. Në fakt, Hassan Sadeqi ishte vetëm 15 vjeç kur u arrestua për herë të parë dhe u burgos për gjashtë vjet. Kur ishte vetëm 13 vjeç, Fatemeh Mossanna dhe e ëma, Ferdoës Maboubi, u arrestuan dhe u burgosën për dy dhe katër vite.
Fatemeh Mossanna ka patur edhe tre vëllezër të quajtur Ali, Mostafa, dhe Morteza. Të gjithë, duke përfshirë edhe kunatën e saj, janë dënuar me vdekje dhe ekzekutuar. Ali Mossanna u ekzekutua ndërkohë që e shoqja dhe dy vajzat, të moshës 4 dhe 6 vjeç, ishin në burg.
Fatemeh Mossanna dhe Hassan Sadeqi u arrestuan më 28 janar 2013, tre dekada më vonë, së bashku me djalin e tyre 16-vjeçar. Ata u burgosën të gjithë në Evin. Ndërsa djali u lirua pak kohë më vonë, çifti vazhdoi të merrej në pyetje për një kohë të gjatë. Kjo u bë që të mund të pyeteshin pse e kishin bërë ceremoninë e varrimit për të atin e Hassan Sadeqi-t, i cili kishte vdekur në Kampin Liberty në Irak pasi atje banonin anëtarët e PMOI-së.
Kampi Liberty ka qenë një instalim ushtarak i Shteteve të Bashkuara në Bagdad të Irakut, i cili u përdor nga viti 2012 deri në shtator 2016 për të strehuar anëtarët e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (PMOI, të quajtur edhe MEK), të cilët ishin dëbuar me forcë nga Kampi Ashraf. Tani këta anëtarë janë larguar përsëri për t’u mbrojtur nga Irani, duke u zhvendosur këtë herë në Shqipëri.
Më 9 prill 2014, Hassan Sadeqi dhe Fatemeh Mossanna u dënuan me 15 vite burg nga Dega e 26-të e Gjykatës Revolucionare në Teheran me akuzën e mbajtjes së kontakteve me Organizatën Muxhahedine të Popullit të Iranit.