Saturday, September 7, 2024

Amnesty: Irani Duhet ta Ndalojë Ekzekutimin e Kundërvajtëses së Mitur

Amnesty International u ka bërë thirrje autoriteteve iraniane që ta ndalojnë ekzekutimin e sotëm të një iranianeje kurde 24-vjeçare, e cila u dënua me vdekje kur ishte vetëm 17, pas një gjyqi tepër të padrejtë që përfshinte rrëfime të detyruara dhe akses të kufizuar në një avokat.

Zeinab Sekaanvand e ka ditën për t’u ekzekutuar nga Regjimi Iranian sot (e martë, 2 tetor) për vrasjen e të shoqit, me të cilin ishte martuar kur ishte vetëm 15 vjeç. Ajo ishte vetëm një fëmijë në kohën e krimit dhe gjatë gjykimit, të cilin Amnesty e quan “jashtëzakonisht të padrejtë”.

Ajo i kishte thënë policëve se e kishte goditur të shoqin me thikë, por vetëm pas muajsh të tërë abuzimi fizik e verbal dhe pasi ai e kishte refuzuar kërkesën e saj për divorc.

Philip Luther, Drejtori i Kërkimit dhe Mbrojtjes në Amnesty International për Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore, tha: “Autoritetet iraniane duhet t’i ndalojnë në mënyrë urgjente planet për të ekzekutuar Zeinab Sekaanvand… Autoritetet duhet ta anullojnë menjëherë dënimin e Zeinab Sekaanvand dhe t’i ofrojnë asaj një rigjykim të drejtë pa iu adresuar dënimit me vdekje, dhe në përputhje me parimet e drejtësisë së të miturve.”

Sekaanvand nuk kishte akses në përfaqësim ligjor deri në seancën e fundit të gjykimit në tetor 2014, kur ajo i tërhoqi mbrapsht “rrëfimet” që kishte bërë dhe raportoi se policët meshkuj e kishin torturuar me rrahje të zgjatura për 20 ditë pas arrestimit të saj në shkurt 2012.