Saturday, September 7, 2024

3 të Burgosurave Politike u Mohohen Vizitat Familjare në Iran

Tre të burgosurave politike në Burgun famëkeq Evin në Teheran, u janë mohuar vizitat nga familjarët për tre javë, në vijim të një grindjeje me fjalë me rojat e burgut në sallën e vizitave, ku thuhet se gratë kanë thirrur me slogane në drejtim të rojave.

Treshja, Golrokh Iraee, Atena Daemi dhe Maryam Akbari Monfared, kanë kërkuar ta shohin verdiktin e paligjshëm, por stafi i burgut ka refuzuar, dhe kreu i godinës së grave u ka thënë se urdhri u ishte komunikuar verbalisht nga Charmahali, Administratori i Burgut, dhe nga Prokuroria.

Grindja ka ndodhur të shtunën, më 9 shtator, ditën pas ekzekutimit të tre të burgosurve politikë – Ramin Hossein Panahi, Loghman Moradi, dhe Zaniar Moradi – në Burgun Rajai Shahr në Karaj. Gratë ishin ndeshur me një inspektim të panjoftuar (dhe të paligjshëm) në sallën e vizitave, kështu që ato rezistuan dhe refuzuan të inspektoheshin apo të merreshin në pyetje.

Këshilli Disiplinor i Burgut zhvilloi një mbledhje, pa praninë e grave, për të diskutuar për ndëshkimin dhe mori vendimin që t’ua ndalonte në mënyrë të paligjshme vizitat familjare për tre javë, pa i thënë fare treshes së grave, por nuk nxori asnjë dokument të shkruar për këtë gjë.

Gratë kanë bërë apel për këtë, me besimin se urdhri është nxjerrë në mënyrë arbitrare nga Administratori i Burgut, dhe Vaziri, Zëvendës Prokurori, ka premtuar se do ta shqyrtojë, por nuk duhet të presim ndonjë ndryshim të madh nga ai.

Ndërkohë që ndëshkimi po apelohet, vizitat duhet të rifillojnë, por për shkak të pengesave nga përfaqësuesi i Porkurorisë, Rostami, vizitat vazhdojnë të jenë të pezulluara.

Maryam Akbari Monfared, nënë e tre fëmijëve, nuk ka mundur të shohë fëmijët e saj pasi burgu refuzoi ta ndryshonte ditën e vizitave në fillim të vitit shkollor, gjë që duhej të kishte ndodhur sipas procedurave normale të burgut. Ajo ka qenë e burgosur për nëntë vjet pa asnjë leje, dhe mund t’i shohë vajzat e saj vetëm në sallën e vizitave çdo javë.

Ky është një shembull tjetër i abuzimit të të burgosurve politikë nga Regjimi Iranian, abuzim që nuk do të ndalojë derisa ky Regjim të rrëzohet nga pushteti nga populli iranian dhe rezistenca e tij e organizuar.

Gjatë viteve, të burgosurit politikë kanë qenë subjekt i abuzimit të pashkak nga agjentët e mullahëve, në përpjekje për t’ua thyer moralin e për t’i bërë që t’i braktisin besimet e tyre politike. Ata torturohen, u mohohet kujdesi mjekësor, mbahen në izolim ose në qeli të mbushura plot. Nëse këto gjëra nuk funksionojnë, Regjimi i vret ata, siç ka bërë me 30,000 të burgosurit politikë që u ekzekutuan në vitin 1988.