Shkruar nga Shamsi Saadati
Mësues, familjarë të viktimave të aksidenteve rrugore dhe punonjës të metrosë zhvilluan protesta anti-regjim në pjesë të ndryshme të Iranit brenda një periudhe kohore prej 24 orësh.
Protesta nga mësuesit me kontratë në Shadegan
Sipas agjensisë shtetërore të lajmeve ILNA, të martën më 23 korrik 2019, një grup mësuesish me kontratë nga qyteti Shadegan, në provincën jug-perëndimore Khuzestan të Iranit, u grumbulluan jashtë zyrës së guvernatorit.
Protestuesit kërkuan që statusi i tyre i punës të kthehet në atë të punonjësit zyrtar të Ministrisë së Arsimit. Mësuesit me kontratë nuk konsiderohen punonjës të qeverisë dhe nuk kanë siguri pune.
Protesta nga familjarët e viktimave të aksidenteve rrugore
Të martën, familjarët e viktimave të aksidenteve rrugore dhe një grup qytetarësh iranianë nga Larestan, në provincën jugore Fars të Iranit, u mblodhën përpara ndërtesës së Administratës së Përgjithshme të Organizatës së Zhvillimit Rrugor dhe Urban në Larestan për të protestuar kundër gjendjes së rrugëve të qytetit.
Pas aksidenteve të shumta rrugore në rrugën Lar-Jahrom në jug të provincës Fars dhe vdekjes së 16 njerëzve në 40 ditët e fundit, mëngjesin e së martës, një grup protestuesish u mblodhën përpara Administratës së Përgjithshme të Organizatës së Zhvillimit Rrugor e Urban si dhe përpara zyrës së guvernatorit në Larestan. Demonstruesit protestuan ndaj mungesës së progresit në zgjerimin e korsive të rrugës dhe ndaj mospërfilljes nga ana e zyrtarëve të qeverisë.
Protesta nga punonjësit e metrosë në Teheran
Të hënën, një grup punonjësish të metrosë së Teheranit u mblodhën në zonën e metrosë së qytetit për të protestuar kundër ndryshimeve në statusin e tyre të punës.
Protestuesit kërkuan dorëheqjen e drejtorit të metrosë, duke e quajtur atë të pakualifikuar për detyrën që ka.