Sunday, February 5, 2023

Zyrtarët iranianë paraqesin raporte kontradiktore për sa i përket zjarrit të madh që ra në rafinerinë e kryeqytetit

 

Tondguyan Refinery fireZyrtarët iranianë kanë dhënë deklarata kontradiktore për sa i përket një zjarri të madh që ka shpërthyer në një rafineri nafte në Teheran. Zjarri ra ditën e djeshme rreth orës 7:30 të mbasdites me orën lokale në rafinerinë e naftës Tondguyan në jug të kryeqytetit dhe është shuar sot, sipas zëdhënësit të Kompanisë Kombëtare të Shpërndarjes së Produkteve Iraniane të Naftës.

Kjo ndërkohë që CEO i Kompanisë së Rafinimit të Naftës në Teheran, Hamed Armanfar, ka thënë sot se përpjekjet për ta shuar zjarrin në rezervuare do të vazhdonin deri natën.

“Përmasat e zjarrit janë zvogëluar dhe ka mbetur vetëm 5% e zjarrit që shpërtheu në fillim. Por do të na duhet të vazhdojmë deri në mbrëmje për ta shuar edhe këtë pjesë të mbetur,” tha ai për agjencinë shtetërore të lajmeve IRNA.

Ky zjarr i stërmadh hodhi në ajër shtëllunga tymi të zi kur shpërtheu të mërkurën në rafinerinë Tondguyan.

Mëngjesin e të enjtes, mediat shtetërore raportuan se zjarri kishte nisur përsëri në rafinerinë Tondguyan dhe kishte shkaktuar një shpërthim në një nga rezervuarët e mëdhenj. Megjithatë, Zyra e rafinerisë për Marrëdhëniet me Publikun e mohoi këtë shpërthim.

Shaker Khafaie tha se raportet për një shpërthim ishin përhapur nga “mediat disidente” dhe, për zhurmën e shpërthimeve të shumta, fajësoi “rënien e pllakave brenda cisternave”.

Ai tha se nuk është ende i qartë shkaku i shpërthimit të zjarrit në rafinerinë Tondguyan, por në të njëjtën kohë hodhi poshtë pretendimet për “sabotazh”.

Njëkohësisht, Ministri i Naftës Bijan Zanganeh tha mbrëmjen e të mërkurës se zjarri kishte ndodhur për shkak të “rrjedhjes së naftës në dy prej rezervuareve” duke shtuar se cisternat nuk kishin ndikuar tek prodhimi.

Duke cituar Qendrën e Emergjencave të Teheranit, televizioni shtetëror tha se 11 njerëz ishin lënduar nga zjarri. Raporti tregon se katër nga këta persona janë dërguar në spital, ndërsa shtatë të tjerët nuk kishin nevojë për hospitalizim.

Dje, një reporter nga agjencia shtetërore e lajmeve YJC, i cili ka qenë në skenën e ngjarjes, citoi departamentin e zjarrit, i cili kishte thënë se ishin djegur 18 rezervuarë.

Ditën tjetër, YJC shkroi në faqen e saj në internet se zjarri nuk ka ndikuar në prodhimin e gazit pasi është dëmtuar “vetëm një rezervuar që nuk është i lidhur me gazin.” Raporti thotë gjithashtu se kërkesat për gaz të Teheranit janë plotësuar nga Bandar Abbas në Iranin jugor.

“Që mbrëmjen e djeshme, mediat disidente janë përpjekur t’i bindin njerëzit në Teheran se do të kishte një mungesë gazi, duke u kërkuar që të shkonin në stacione karburanti për të marrë gaz shtesë,” shkroi sot kjo agjenci lajmesh.