Sunday, January 29, 2023

Zgjedhjet në Iran Vërtetojnë se Nuk Ekziston Dallimi Konservator/Reformist

 

Zgjedhjet iraniane rezultuan, siç pritej, në ngritjen e kandidatit të preferuar të Liderit Suprem Ali Khamenei, Ebrahim Raisi-t, në postin e presidentit, ndërkohë që shumica e popullsisë u qëndroi larg qendrave të votimit në përputhje me fushatën e Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI/MEK).

MEK dhe populli iranian e kanë vënë në dukje me kohë se nuk ka asnjë ndryshim midis reformistëve dhe konservatorëve në Iran, duke treguar se kushtet në Iran janë përkeqësuar pavarësisht se kush e ka mbajtur postin e dytë më të lartë në vend. Në fakt, ndërkohë që politika e brendshme dhe ajo e jashtme kanë ndjekur të njëjtat qëllime, i vetmi ndryshim ka qenë se kush ka marrë shumicën e përfitimeve nga korrupsioni.

Kjo mund të shihet në premtimet për liri civile dhe qëndrueshmëri ekonomike të bëra nga presidenti ‘reformist’ Hassan Rouhani në 2013-ën, premtime të cilat nuk u përmbushën asnjëherë. Në fakt, situata vetëm sa është përkeqësuar. Por edhe pse Rouhani ishte aleat besnik i Khamenei-t, anëtarët e fraksionit të tij u përjashtuan nga këto zgjedhje prej Khamenei-t. Pavarësisht kësaj, reformistët i kanë mbështetur zgjedhjet. E si mund të bëhet më i qartë fakti që asgjë nuk ndryshon nën sistemin e mullahëve, pavarësisht se kush i drejton ata?

Raisi, i caktuar si kryegjyqtar në 2019-ën nga Khamenei, i ka kaluar dy vitet e fundit duke vërtetuar besnikërinë e tij ndaj Liderit Suprem me anë të shtypjes së dhunshme ndaj të burgosurve politikë dhe protestuesve. Shembulli më i qartë është kryengritja e nëntorit 2019, ku banorët e mbi 200 zonave u ngritën në protestë pas trefishimit të çmimeve të karburantit nga qeveria. Gjatë atyre pak ditëve, forcat e sigurisë qëlluan pa dallim mbi turmat e njerëzve duke vrarë 1,500 protestues, ndërsa rreth 12,000 të tjerë janë ende edhe sot në burgje, nën torturë.