Thursday, March 28, 2024

Zgjedhjet në Iran 2021: Bojkoti Elektoral që po Bëhet Gjithnjë e më i Dukshëm në Iran Reflekton Rritjen e Mbështetjes për MEK

Bandar Anzali – Veprimtaritë e Njësive të Rezistencës dhe mbështetësve të MEK, duke bërë thirrje për bojkot të farsës së zgjedhjeve të regjimit – 10 prill 2021

Zëri udhëheqës i Iranit për një të ardhme demokratike, Organizata Muxhahedine e Popullit të Iranit (PMOI/MEK), ka kohë që e nxit popullin iranian që t’i shmanget pjesëmarrjes në zgjedhjet e regjimit aktual, duke patur parasysh faktin që ky proces është një farsë.
Sistemi teokratik i qeverisjes së vendit në pamje të parë duket sikur lejon zgjedhjen nga populli të presidentit dhe anëtarëve të parlamentit, por ai investon gjithashtu një sasi të jashtëzakonshme pushteti në zyrtarë e institucione të pazgjedhura, si Udhëheqësi Suprem dhe Këshilli i Gardianëve i regjimit. Ky i fundit është i ngarkuar me detyrën specifike për të shqyrtuar të gjithë kandidatët politikë dhe të gjitha legjislacionet e reja mbi bazën e kritereve që përfshijnë besnikërinë ndaj vetë Udhëheqësit Suprem. Si rrjedhim, vetëm kandidatët me besnikëri absolute ndaj liderit suprem lejohen të mbajnë pozicione të larta.

Siç e ka bërë të qartë MEK-u me çdo cikël zgjedhjesh, fraksioni “reformist” i sistemit aktual politik të Iranit është krejtësisht i keqemërtuar. Në të gjitha çështjet më të rëndësishme, anëtarët e tij janë të një mendjeje me kolegët e tyre “konservatorë.” Si rrjedhim, zgjedhjet nuk janë gjë tjetër veçse një skemë për ndarjen e pushtetit midis dy grupeve elitë të interesit. Fitorja e njërit apo tjetrit fraksion nuk është përkthyer asnjëherë në një reduktim domethënës të krizave ekonomike apo shoqërore me të cilat përballet populli iranian. Në fakt, këto probleme janë përshkallëzuar vazhdimisht për më shumë se katër dekada që nga krijimi i regjimit iranian.
Kjo tendencë pa dyshim që ka mbetur e tillë edhe gjatë tetë viteve të fundit, kur qeveria e Iranit është udhëhequr formalisht nga presidenti i ashtu-quajtur reformist, Hassan Rouhani. Pas zgjedhjes së tij të parë në 2013-ën, disa nga homologët perëndimorë të Rouhani-t e përqafuan fitoren e tij të papritur në zgjedhje dhe madje, shkuan deri aty sa të thoshin se rinisë pro-demokratike të Iranit i ishin plotësuar në një farë kuptimi kërkesat e protestave të saj në 2009-ën, protesta të cilat shprehnin kundërshtim ndaj rizgjedhjes së pararendësit “konservator” të Rouhani-t, Mahmoud Ahmadinejad.