Monday, October 2, 2023

Katastrofa e Koronavirusit: Numri i vdekjeve nga COVID-19 në Iran shkon përtej 146,500

COVID-19 death toll in Iran_physiciansAfsaneh Hassanvand dhe Mandana Mousavi

 

Mbi 160 mjekë e infermierë kanë vdekur nga COVID-19; rreth 30,000 infermierë të infektuar në Iran

Përhapja e koronavirusit në Iran po arrin rekorde të reja dhe disa qytete janë në “gjendje të zezë.” Sipas burimeve të Rezistencës Iraniane, numri i vdekjeve nga COVID-19 në Iran e ka kaluar shifrën 146,500 mbrëmjen e së shtunës, 7 nëntor 2020.

Që më 30 tetor, 1,000 deri në 1,200 persona kanë vdekur për shkak të koronavirusit në Iran.

covid-19 death toll in Iran

Mes të vdekurve ka edhe mjekë, infermierë, dhe punonjës të shëndetit të cilët janë në vijën e parë të betejës kundër virusit.

Dy mjeke femra humbën jetën javën e shkuar për shkak të infektimit me COVID-19. Ato quheshin Afsaneh Hassanvand Amouzad dhe Mandana Mousavi.

Infektimet kanë shkaktuar vdekjen edhe të një numri infermierësh. Infermieret që kanë humbur jetën përfshijnë Zahra Mousavi Arfa e cila vdiq në provnicën Hamadan më 4 nëntor; Fatemeh Shafii Moghaddam që vdiq në provincën Alborz më 28 tetor; Parvin Kayvan që vdiq në qytetin Dezful më 25 tetor; Maryam Sharafkhah, nënë e dy fëmijëve, që vdiq në provincën Qazvin më 18 tetor; dhe Mahboubeh Khodaverdi, 25 vjeç, e cila vdiq në Teheran.

Lajmet për vdekjen e tyre janë raportuar nga rrjetet sociale dhe shtypi.

Nga e majta: Fatemeh Shafii, Mahboubeh Khodaverdi dhe Maryam Sharafkhah; infermiere që kanë humbur jetën nga infektimi me COVID-19

30,000 infermierë të infektuar me COVID-19

Alireza Zali, kreu i Taskforcës për Luftimin e Koronavirusit në Teheran, tha më 24 tetor se rreth 30,000 infermierë në Iran janë infektuar me COVID-19.

Më 31 tetor, Mohammad Sharifi Moghaddam, kryetari i Shtëpisë së Infermierëve në Iran, tha se numri i infermierëve në Iran është i pamjaftueshëm. Ai tha se deri tani kanë vdekur rreth 60 infermierë  për shkak të infektimit me koronavirus. 6,000 të tjerë janë me raport mjekësor. Ai tha se shumë infermierë nuk e kanë të mundur t’i rikthehen punës për shkak të impaktit të virusit në mushkëritë dhe organet e tyre. (Agjencia shtetërore e lajmeve ILNA – 31 tetor 2020)

Një anëtar i Taskforcës Kombëtare për Luftimin e Koronavirusit ka deklaruar se numri i mjekëve dhe infermierëve që kanë vdekur nga COVID-19 është 164. (Agjencia shtetërore e lajmeve Mehr – 23 shtator 2020)

Nisur nga mungesa e transparencës që regjimi klerikal shfaq në njoftimet e tij publike, këto shifra duhet të konsiderohen si minimumi. Presioni i punës është sfilitës për infermierët. Një infermier në Sallën e Emergjencave në Teheran ka thënë se punojnë me turne 12 orëshe. Disa infermierë madje punojnë me turne 24-orëshe. (Agjencia shtetërore e lajmeve Mizan – 5 nëntor 2020)