Thursday, March 28, 2024

Vrasja e Rafic Hariri-t Është Urdhëruar nga Khamenei, Organizuar nga Qassem Soleimani, dhe Kryer nga Dega Libaneze e IRGC-së

 

Dhjetë vite më parë, Khamenei pati thënë se ky gjyq do të ishte fals, dhe verdikti i tij do të refuzohej

Pas 15 vitesh, gjyqi special i OKB-së për Libanin dha sot verdiktin e tij, edhe pse regjimi i mullahëve, Forcat terroriste Quds të IRGC-së, dhe Hezbollah-u libanez i kanë shfrytëzuar të gjitha influencat e tyre diplomatike, ekonomike dhe terroriste, si dhe çdo mjet tjetër në dispozicion të tyre për të fshehur provat dhe për të penguar rrjedhën e hetimeve të gjykatës. Për shembull, ata i kanë fshehur të dyshuarit dhe autorët e krimit dhe kanë refuzuar t’ia dorëzojnë gjykatës të akuzuarit, madje nuk kanë lejuar as që t’i marrin në pyetje ata.

Pavarësisht të gjitha kufizimeve dhe sabotazheve, verdikti i gjykatës nuk lë asnjë dyshim që këtë krim madhor e ka kryer Hezbollah, që është pjesë e Gardës Revolucionare të regjimit.

Dhjetë vite më parë, Khamenei i pati deklaruar qartë politikën dhe veprimet e regjimit ndaj këtij gjyqi. Në një takim me Emir të Katarit më 22 nëntor 2010, Khamenei e pati kërcënuar pafytyrësisht gjykatën duke thënë: “Ky gjyq është një gjyq i sajuar, dhe çdo verdikt që të japë do të refuzohet. Shpresojmë që ata në Liban të cilët kanë ndikim dhe janë të efektshëm, do të veprojnë me mençuri në mënyrë që kjo çështje të mos kthehet në një problem.”

Është mjaftueshëm e qartë se vrasja e ish-kryeministrit libanez Rafic Hariri është bërë me urdhër nga vetë Khamenei, është planifikuar nga Qassem Soleimani, dhe ka qenë pjesë e planit më të gjerë të mullahëve për ta dominuar plotësisht Libanin. Edhe një herë, vendimi i gjykatës tregon se e vetmja zgjidhje është që regjimi iranian të dëbohet nga Libani dhe të priten tentakulat e Gardës Revolucionare dhe degës së saj libaneze nga vendi. Kjo është përgjegjësi e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Europian, dhe të gjitha palëve që duan paqe, siguri, dhe qetësi në Liban e më gjerë në Lindjen e Mesme.