Pavarësisht Mohimit nga Ana e Iranit, Provat Konfirmojnë se i Ashtu-quajturi “Poet Ateist” Arefani Ka Qenë Agjent i MOIS

444

 

Pavarësisht përpjekjeve të regjimit iranian për të mohuar pjesëmarrjen e Mehrdad Arefani-t në komplotin e parandaluar me bombë kundër opozitës iraniane në Villepinte pranë Parisit në 2018-ën, provat kanë vërtetuar lidhjet e tij me diplomatin terrorist të burgosur të regjimit, AssadollahAssadi, dhe me Ministrinë e Inteligjencës dhe Sigurisë (MOIS) të Iranit.

Regjimi ka tentuar ta portretizojë Arefani-n, njërin nga katër terroristët e përfshirë në komplotin me bombë, si një mbështetës të opozitës, në mënyrë që ta justifikonte pretendimin e Ministrit të Jashtëm të Iranit, Mohammad Javad Zarif, se operacioni terrorist pranë Parisit ka qenë një “operacion me flamur të rremë” (domethënë një operacion i planifikuar për ta nxjerrë regjimin si fajtor).

Assadi dhe MOIS kanë tentuar t’i fshehin lidhjet e Arefani-t me ta. Arefani-t i ishte dhënë urdhër të mohonte çdo lidhje me Assadi-n apo me MOIS. Dokumentet e zbuluara gjatë gjyqit të terroristëve në Anversa të Belgjikës i hedhin poshtë pretendimet e Arefani-t dhe e sqarojnë më tej këtë çështje.

Regjimi iranian tentoi të shpërthente një bombë në tubimin e Rezistencës Iraniane më 30 qershor 2018, në Villepinte, në veri të Parisit. Diplomati terrorist i mullahëve, Assadollah Assadi, ia dorëzoi bombën së bashku me udhëzimet dy terroristëve të tjerë, Amir Sadouni dhe gruas së tij Nasimeh Naami, të cilët shtireshin si mbështetës të Rezistencës.

Sipas padisë së prokurorit në Anversa, Arefani ishte elementi kryesor i Assadi-t në terren, dhe kishte për detyrë të kontrollonte kryerjen e operacionit nga Sadouni dhe Naami. Arefani më pas duhej t’ia raportonte rezultatin Assadi-t.

Më 3 dhjetor, Arefani mohoi çdo lidhje me Assadi-n apo regjimin gjatë ditës së dytë të gjyqit, duke pretenduar se ishte “poet” “ateist.” Por megjithatë, asnjë nga këto alibi nuk e ndihmoi dot Arefani-n për shkak të provave inkriminuese që konfirmojnë rolin e tij si agjent i paguar i MOIS.

Në momentin e arrestimit në parkimin e Villepinte më 30 qershor 2018, Mehrdad Arefani mbante një telefon Nokia 105 me një kartë SIM austriake me numër +436543591456, në të cilin kishte vetëm një kontakt austriak me emrin “Daddy,” me numrin +436643691475.

Në draftet e telefonit kishte një mesazh të padërguar, me vetëm një fjalë: “OK.”

Në momentin e arrestimit të Assadollah Assadi-t në Gjermani më 1 korrik 2018, ai kishte një telefon Nokia 105 me një kartë SIM austriake me numër +436643691475, i njëjti numër që ishte i regjistruar në telefonin e Arefani-t. Në këtë telefon kishte vetëm një kontakt me emër A.HOD dhe me numër 436543591456, i njëjti numër që kishte telefoni i Mehrdad Arefani-t në kohën e arrestimit të tij. Këta dy telefona ishin të përgatitur për komunikime të caktuara lidhur me komplotin me bombë në Villepinte.