Saturday, February 4, 2023

Në Seancën e Dytë Dëgjimore, Gjykata në Anversë ia Referon Degës së Anti-Terrorit  Ndjekjen Penale të Diplomatit Terrorist të Regjimit Iranian, Assadollah Assadi, dhe Tre Bashkëpunëtorëve të Tij

In Second Hearing, Court in Antwerp Refers Prosecution of Iran Regime's Diplomat-Terrorist Assadollah Assadi, His Three Accomplices, to Anti-Terrorism Branch

Diplomati Terrorist i Regjimit Iranian, Assadollah Assadi

Gjykimi do të nisë më 27 nëntor 2020

Të enjten, më 30 korrik 2020, një gjykatë në Anversë të Belgjikës zhvilloi seancën e dytë dëgjimore paraprake për çështjen e Assadollah Assadi-t, diplomatit terrorist të regjimit klerikal, i cili, duke vepruar nën urdhrat e udhëheqjes më të lartë të regjimit iranian, ishte në proces të realizimit të komplotit terrorist për të shpërthyer një bombë në tubimin e madh të iranianëve më 30 qershor 2018 në Villepinte të Parisit. Së bashku me Assadi-n do të gjykohen edhe tre bashkëpunëtorët e tij, Amir Saadouni, Nasimeh Naami dhe Mehrdad Arefani.

Paneli me tre gjykatës ia referoi çështjen e katër terroristëve të burgosur Degës Speciale të Anti-Terrorizmit të Anversës. Kjo gjë shënoi përfundimin e fazave paraprake të gjykimit të Assadi-t dhe bashkëpunëtorëve të tij, gjykim për parandalimin e të cilit regjimi klerikal nuk ka kursyer asnjë përpjekje. Gjyqi do të fillojë më 27 nëntor 2020.

Më herët, më 15 korrik, seanca e parë në gjykatë miratoi padinë e prokurorit federal kundër këtyre terroristëve, dhe ra dakord me kërkesën e prokurorit federal për t’i gjykuar Assadi-n dhe bashkëpunëtorët e tij për dy akuzat “akt i tentuar terrorist me qëllim vrasjen” dhe “pjesëmarrje në një grup terrorist.”

Kjo është hera e parë që një diplomat në Europë ndiqet penalisht për përfshirje direkte në terrorizëm. Regjimi klerikal, i xhindosur nga transferimi në masë i PMOI/MEK në Shqipëri, i tmerruar nga kryengritja e dhjetorit 2017, dhe i shqetësuar lidhur me ndikimin ndërkombëtar në rritje të Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI) dhe Presidentes së zgjedhur të tij, Znj. Maryam Rajavi, tentoi ta vriste atë së bashku me disa nga zyrtarët më të spikatur amerikanë e europianë që merrnin pjesë në tubimin në Villepinte.

Znj. Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), dëshmoi për shtatë orë duke paraqitur dokumente që e bënë të qartë se vendimi për këtë operacion madhor terrorist ishte marrë gjatë një seance të Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të regjimit, të kryesuar nga Hassan Rouhani, dhe ishte miratuar me urdhër direkt nga Udhëheqësi Suprem i regjimit, Ali Khamenei. Znj. Rajavi theksoi se, përveç Assadi-t dhe terroristëve të tjerë të arrestuar si autorë të këtij krimi, duhet të ndiqen penalisht edhe organizatorët e vërtetë, konkretisht Khamenei, Rouhani, Zarif, dhe Ministri i Inteligjencës Mahmoud Alavi. Kjo është e domosdoshme për ta ndalur terrorizmin e shfrenuar të mullahëve, tha ajo.