Assadollah Assadi, diplomati terrorist iranian
Një gjykatë në Anversa të Belgjikës do ta shpallë më 4 shkurt 2021 verdiktin e saj për diplomatin terrorist të Iranit Assadollah Assadi dhe për tre bashkëpunëtorët e tij.
Sipas prokurorëve belgë dhe bazuar në prova, regjimi iranian i kishte dhënë për detyrë Assadi-t dhe tre terroristëve të tjerë që të sulmonin tubimin e opozitës iraniane në Francë më 30 qershor 2018. Sipas prokurorëve, shënjestra kryesore ishte Znj. Maryam Rajavi, presidentja e zgjedhur e opozitës. Assadi i kishte udhëzuar operativët e tij që ta vendosnin bombën sa më afër saj të ishte e mundur.
Në një artikull më 13 janar, e përditshmja franceze Le Monde zbuloi se si regjimi në Iran i ka mobilizuar forcat e tij për të shpëtuar Assadi-n.
Le Monde zbuloi se një provë e re në hetimet belge, e cila është publikuar së fundmi, “konfirmon se sa shumë vëmendje po i kushton Teherani” çështjes së Assadi-t.
“Një shënim i përpiluar nga zyrtarët e sigurisë dhe që i është dërguar prokurorisë federale, që merret me çështjet e terrorizmit, ka dhënë detaje në gusht 2019 lidhur me vizitat e shumta të zyrtarëve iranianë tek Z. Assadi, i cili në atë kohë ndodhej i burgosur në Limburg-un belg,” shton Le Monde.
Le Monde thekson se të paktën “katërmbëdhjetë personalitete” të regjimit të Teheranit kanë vizituar Assadi-n. Krahas ambasadorit të regjimit në Francë dhe disa mjekëve e avokatëve iranianë banues në Francë e Belgjikë, Assadi-n e kanë takuar edhe “pesë vizitorë të tjerë, të lidhur me qeverinë iraniane,” sipas shënimit të parë nga Le Monde.
“Ata kishin ardhur nga Teherani si delegacion dhe i kishin thënë Belgjikës se ishin anëtarë të ministrisë së jashtme. Por autoritetet belge kanë mundur të identifikojnë vetëm tre prej tyre.”
“Ata kishin ardhur nga Teherani si delegacion dhe i kishin thënë Belgjikës se ishin anëtarë të ministrisë së jashtme. Por autoritetet belge kanë mundur të identifikojnë vetëm tre prej tyre.”
Le Monde më pas i referohet dëshmisë së Znj. Rajavi, gjatë së cilës ajo “u dha hetuesve një shënim ku jepeshin detaje për rolin e disa prej këtyre zyrtarëve. Njëri prej tyre ishte, në fakt, një nga liderët kryesorë të Ministrisë së Inteligjencës dhe Sigurisë, që kishte për detyrë të mbikëqyrte agjentët e stacionuar në vende të huaja dhe që veprojnë në fshehtësi.”
“Në Teheran është krijuar gjithashtu një komitet i veçantë që bën bashkë shërbime të ndryshme me qëllimin për të punuar në lidhje me çështjen e Assadi-t,” shkruan Le Monde, duke shtuar: “Assadi e ka kërcënuar Belgjikën me mundësinë e një hakmarrjeje nëse e dënon atë.”
Krahas presionit diplomatik, regjimi është përpjekur të përdorë mjetin e peng-marrjes dhe fushatën e shantazheve për t’i detyruar autoritetet belge që ta lirojnë Assadi-n.
Njëkohësisht me zhvillimin e gjyqit të Assadi-t, regjimi shpalli se do të ekzekutonte Ahmadreza Djalali, një akademik iraniano-suedez që jepte mësim në Belgjikë. Si reagim ndaj shantazheve të regjimit, Parlamenti belg miratoi një rezolutë, ku kërcënonte se do t’i ndërpriste të gjitha lidhjet me regjimin e Teheranit nëse Z. Djalali do të ekzekutohej. Kështu, regjimi u detyrua ta pezullonte momentalisht ekzekutimin e tij.
Pasi kishte dështuar në përpjekjen për t’i bërë shantazh Belgjikës, regjimi u përpoq të minonte legjitimitetin e gjykimit të Assadi-t nga gjykata belge.
Pavarësisht se diplomati terrorist i tij është kapur në flagrancë, regjimi i Teheranit është përpjekur ta portretizojë atë si një “diplomat” të pafajshëm në detyrë.
Një regjim që ka masakruar mbi 30,000 të burgosur politikë në 1988-ën dhe ka emëruar njërin prej autorëve kryesorë të kësaj masakre, Ebrahim Raisi, si Kryegjyqtar – i cili vazhdon me ndëshkimet jashtë-gjyqësore – e quan gjykatën belge “jolegjitime.”
Gjyqi i Assadi-t është ngjarje historike pasi është hera e parë që një diplomat karriere i Iranit gjykohet për terrorizëm në Europë, dhe mund të shënojë një precedent. Për këtë arsye, gjyqi i Assadi-t e ka xhindosur regjimin.
Që kur Assadi u arrestua, politika zyrtare e regjimit ka këmbëngulur në të ashtu-quajturin “imunitet diplomatik” të Assadi-t dhe në faktin se autoritetet belge nuk mund ta ndjekin penalisht Assadi-n. Edhe pse është kapur në flagrancë, edhe vetë Assadi e ka përsëritur këtë pretendim të rremë dhe ka refuzuar të paraqitet në gjyq.
Megjithatë, gjatë gjykimit të Assadi-t, prokurori ka thënë se, sipas legjislacionit belg të vitit 2002, edhe nëse Assadi do të kishte patur imunitet diplomatik, autoritetet belge do të kishin mundur ta arrestonin. Prokurori shtoi se, edhe sipas ligjit austriak, autoritetet belge kanë të drejtën ta arrestojnë Assadi-n për arsye se ai kishte në plan të kryente vrasje masive. Ligji ndërkombëtar ua lejon autoriteteve t’ia heqin imunitetin diplomatik Assadi-t dhe ta arrestojnë atë.
Gjykimi i Assadi-t është gjykim për regjimin në tërësi. “Sipas hetimeve të gjata nga drejtësia belge, siguria e shtetit, dhe shërbimi i inteligjencës, i gjithë ky operacion është projektuar në nivelet më të larta në Teheran, dhe ka qenë i lidhur me të pandehurit të cilët kishin punuar për një kohë të gjatë për Mininstrinë e Inteligjencës dhe Sigurisë [të regjimit],” shkruan Le Monde lidhur me këtë.
Sipas Le Monde, “Jaak Raas, kreu i sigurisë belge, ka thënë se ky veprim është inicuar ‘në emër të Iranit, nën udhëheqjen e tij.’”
Një fjalë e fundit
Komploti me bombë i 2018-ës ishte një akt terrorizmi me sponsorizim shtetëror nga regjimi iranian dhe Assadi ishte ngarkuar me detyrën për ta realizuar këtë komplot në emër të Ministrisë iraniane të Inteligjencës në koordinim me Ministrinë e Jashtme.
Assadi vazhdon të mbështetet tek i ashtu-quajturi imunitet diplomatik i tij. Ai do të vazhdojë ta bëjë këtë duke patur parasysh se edhe eprori i tij, Ministri i Jashtëm i regjimit Mohamad Javad Zarif, i cili ka luajtur një rol thelbësor në lehtësimin e komplotit me bombë, vazhdon të gëzojë “imunitet diplomatik” dhe përshëndetet nga liderët europianë.
Gjyqi i Assadi-t është një moment që BE duhet ta shfrytëzojë për t’i dhënë fund terrorizmit dhe fushatës së shantazheve të regjimit duke i dhënë fund politikës së paqësimit.
BE duhet t’i mbyllë të gjitha ambasadat e regjimit iranian dhe t’i dëbojë të ashtu-quajturit “diplomatë” të tij. Pa dyshim që kjo do t’i përcillte Teheranit mesazhin e duhur se terrorizmi i tij në tokën europiane nuk do të tolerohet.