Të mërkurën më 15 korrik 2020 do të fillojë në Belgjikë gjykimi i Assadollah Assadi, një diplomat terrorist i regjimit klerikal i cili urdhëroi për shpërthimin e një bombe në një tubim të madh iranian në Villepinte të Parisit, më 30 qershor 2018. Kjo është hera e parë që një diplomat në Europë gjykohet për përfshirje të drejtpërdrejtë në terrorizëm. Pas dy vitesh, drejtësia belge e ka përfunduar hetimin e këtij komploti terrorist dhe ia ka dorëzuar gjykatës çështjen e Assadi-t dhe tre bashkëpunëtorëve të tij.
Assadi është një zyrtar i lartë i Ministrisë së Inteligjencës dhe Sigurisë (MOIS) të regjimit iranian, i cili ishte shef i stacionit të MOIS në Austri. Ai punonte nën petkun e konsullit të tretë, dhe u kishte dorëzuar personalisht një bombë të fuqishme TATP Amir Saadouni-t dhe Nasimeh Naami-t në Luksemburg më 28 qershor 2018, për ta shpërthyer në tubimin në Villepinte. Ky komplot i madh terrorist, i cili do të kishte lënë qindra viktima, u zbulua dhe u parandalua në fazat e tij të fundit. Amir Saadouni dhe Nasimeh Naami u arrestuan në Belgjikë më 30 qershor ndërkohë që po e transportonin bombën për në Villepinte. Mehrdad Arefani u arrestua në Villepinte, Paris, ndërsa Assadi u arrestua në Gjermani ditën tjetër dhe iu dorëzua autoriteteve belge.
Regjimi klerikal, i zemëruar nga zhvendosja e Mujahedin-e Khalq (MEK / PMOI) në Shqipëri, i tmerruar nga kryengritjet e dhjetorit 2017 dhe janarit 2018, dhe i shqetësuar nga rëndësia në rritje në arenën ndërkombëtare e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit dhe Presidentes së zgjedhur të tij, Znj. Maryam Rajavi, tentoi ta vriste zonjën Rajavi dhe folësit e spikatur amerikanë e europianë në këtë event. Më herët, regjimi klerikal kishte planifikuar një sulm terrorist ndaj festimeve të Novruzit në 2018-ën në Shqipëri, ku merrte pjesë Znj. Rajavi dhe një grup të ftuarish të huaj, atentat që u parandalua dhe çoi në dëbimin e ambasadorit të regjimit dhe tre diplomatëve të tjerë nga Shqipëria.
Gjatë dy viteve të fundit, regjimi klerikal ka bërë çdo përpjekje të mundshme për ta parandaluar gjykimin e Assadi-t dhe për të siguruar lirimin e tij. Masat e tilla si presioni diplomatik, incentivat ekonomike, marrja peng e shtetasve europianë dhe kërcënimet terroriste kanë dështuar dhe janë kthyer kundër tij.