Monday, January 30, 2023

Shqetësimet e thella të regjimit iranian lidhur me kryengritjen irakene

Dhjetëra mijëra njerëz në demonstratë në Irak – tetor 2019

Raportim nga PMOI/MEK

Iran, 27 tetor 2019—Regjimit të mullahëve në Irak po i rritet shqetësimi lidhur me impaktin shkatërrimtar të protestave, demonstratave dhe kryengritjes irakene. Të premten më 25 tetor, zyrtarët e regjimit iranian dhe të mediave shtetërore përdorën terma si “përmbysës,” “rrëzues,” “rebelim” dhe “i rrezikshëm” në përshkrimin e këtij zhvillimi të fundit.

Kjo është shenjë e qartë se aparati i Teheranit është kapur plotësisht në befasi teksa dhjetë provinca të Irakut, përfshirë Bagdad, Basra, Najaf, Karbala, Diwaniya, Wasit, Maysan, al-Mothana, Dhi Qar dhe Babil (Babilon) shpërthyen në protesta. Demonstruesit irakenë kanë në shënjestër në mënyrë specifike ndërhyrjet e Iranit në vendin e tyre si dhe veprimtaritë e proksive të Iranit, veçanërisht në pjesët jugore të Irakut.

“(Shtetet e Bashkuara) janë në prag të krijimit të trazirave dhe paqëndrueshmërisë për ta rrëzuar qeverinë dhe për të përgatitur terrenin për ndërhyrje të huaja,” tha Amir Abdullahian, këshilltar special i kryetarit të Majlis (parlamentit) të regjimit iranian, Ali Larijani.

Pavarësisht komenteve të tij, demonstruesit dhe rinia e rebeluar e Irakut janë shiitë irakenë që protestojnë ndaj korrupsionit qeveritar dhe thërrasin, “Iran, jashtë, jashtë!” duke kërkuar t’i jepet fund ndikimit shkatërrimtar të Teheranit në vendin e tyre.

E përditshmja Kayhan, një nga gazetat më të rëndësishme e njohur si zëdhënësja e Liderit Suprem të regjimit iranian Ali Khamenei, shprehu shqetësim të thellë lidhur me faktin që demonstruesit irakenë kanë marrë në shënjestër proksit e Teheranit në Irak.

“Në qytetin jugor Samawah të Irakut, rebelët mësynë dhe u vunë zjarrin zyrave të Amar Hakim dhe të grupit Asaib Ahl al-Haq të lidhur me Hashd al-Shaabi (Forcat e Mobilizimit Popullor). Në Bagdad, demonstruesit marshuan drejt Zonës së Gjelbër… në provincën Diyala, një numër zyrtarësh provincialë janë vrarë nga persona të armatosur të paidentifikuar,” thotë artikulli. “Zhvillimet në Irak e Liban, të reflektuara tek protestat nëpër rrugë në të dyja këto vende… mund të përshkruhen shumë mirë si rebelime dhe kanë evoluar në protesta që kanë në shënjestër vetë sistemin.”

Asaib Ahl al-Haq është një grup militant iraken i njohur për lidhjet e tij të forta me regjimin në Iran. Hashd al-Shaabi përshkruhet si versioni iraken i Gardës Revolucionare (IRGC) të Iranit.

E përditshmja Javan, e lidhur me IRGC-në, solli gjithashtu më shumë detaje mbi shqetësimet e Teheranit lidhur me Irakun.

“Këto protesta po shndërrohen në trazira të pakontrolluara në zona të ndryshme të Irakut. Disa elementë kanë hyrë me dhunë brenda dhe u kanë vënë zjarrin zyrave të grupeve Hekmat dhe Asaib në provincën Al Mothana. Në Basra, protestuesit kanë mundur ta bllokojnë kalimin Um Qasr dhe të gjitha rrugët që lidhen me këtë vend,” lexon raporti.

E përditshmja Mardomsalari, një gazetë që ka lidhje me grupimin e Presidentit të regjimit iranian Hassan Rouhani, analizon pyetjen, “Cila është e ardhmja e Irakut?”

“Iraku është tashmë skenë e ngjarjeve dhe zhvillimeve të ndryshme. Shpresojmë që këto demonstrata të mos çojnë në vrasje, të cilat do të çojnë pa dyshim në zgjidhje të rrezikshme… Partitë shiite të Irakut që janë kundër [regjimit iranian] po luajnë një rol madhor në shkaktimin e këtyre trazirave… Shtetet e Bashkuara dhe partitë opozitare të lidhura me to në Irak janë përpjekur ta rrëzojnë qeverinë aktuale gjatë muajve të fundit, dhe të nisin një revolucion në një mënyrë apo një tjetër! Ky është një model shumë i rrezikshëm.”