Të hënën, udhëheqësi suprem i regjimit iranian, Ali Khamenei, pranoi dështimin e presidentit të regjimit të tij, Ebrahim Raisi, presidencën e të cilit ai e kishte përshkruar si “ngjarja më e ëmbël” në vitin 2021.
Në fjalimin e tij në një takim me disa nga ekspertët e regjimit, takim që u transmetua nga televizioni shtetëror, Khamenei pranoi dështimin ekonomik të regjimit, duke rënë kështu në kundërshtim me veten dhe pretendimet e rreme që ai dhe Raisi kishin bërë lidhur me begatinë ekonomike dhe sociale!
Khamenei pranoi “varfërinë dhe problemet e dukshme të jetesës”, “jetesën e vështirë të familjeve iraniane”, “papunësinë e miliona qytetarëve dhe emigracionin e tyre” dhe “shumë tregues negativë ekonomikë”.
“Ankesat dhe shqetësimet ekonomike që sapo përmendët janë reale. Familjet në vend kanë një jetesë të vështirë. E vetmja zgjidhje për të zhdukur varfërinë dhe për të rritur mirëqenien e familjeve është rritja ekonomike”, tha ai. Megjithatë, duke lavdëruar programin bërthamor të regjimit, për të cilin ai ka shpërdoruar miliarda dollarë nga pasuria kombëtare, Khamenei konfirmoi se ai thjesht po derdhte lot krokodili për njerëzit.
Ai e pranoi se protestat e popullit burojnë nga korrupsioni, keqmenaxhimi dhe paaftësia e regjimit.
Ai gjithashtu pranoi se regjimi e ka humbur legjitimitetin e tij ndërkombëtar dhe ekonomik duke iu referuar rënies së vlerës së monedhës kombëtare të Iranit kundrejt dollarit amerikan. “Në botën moderne, situata e një vendi i atribuohet kryesisht gjendjes së tij ekonomike. Prandaj, kur ekonomia e tij bie dhe vlera e monedhës kombëtare bie, ai shtet humbet vendin e tij në aspektin e renditjes ndërkombëtare”.
Pavarësisht se është autoriteti më i lartë i regjimit, ai shmangu çdo përgjegjësi dhe fajësoi zyrtarët e tjerë. “Sigurisht, nuk kam qasje ekzekutive. Unë tregoj rrugën dhe kontrolloj nëse autoritetet e ndjekin atë apo jo.”
Duke u përpjekur të hidhte fajin për krizën ekonomike të vendit mbi fraksionet rivale dhe degët ekzekutive të qeverisë, Khamenei tha: “Tani kemi të bëjmë me disa vendime kontradiktore nga pushteti ekzekutiv. Njëra organizatë vendos të veprojë, ndërsa tjetra e refuzon dhe bën të kundërtën. Megjithatë, të dyja ulen pas të njëjtës tavolinë në seancat e qeverisë. Kjo nuk duhet të ndodhë.”
Ai gjithashtu pranoi falimentimin e sistemit dhe defiçitin tepër të madh buxhetor të qeverisë së Raisit. Vlen të theksohet se javën e kaluar, ndërsa prezantoi planin e tij, Raisi pretendoi se projektligji për buxhetin e qeverisë së tij nuk ka defiçit, duke krijuar shumë polemika në parlamentin e regjimit me deputetë të përzgjedhur. Së pari, deputetët e përzgjedhur nga Khamenei hodhën poshtë pretendimet e Raisit dhe tani mentori i tij po shprehet kundër “projektligjit të buxhetit perfekt” të Raisit.
“Për fat të keq, buxheti ka një problem strukturor. Ky defiçit buxhetor i çuditshëm me të cilin po përballemi ka qenë një burim i madh problemesh financiare. Ne krijuam Këshillin Ekonomik të Kryetarëve të Degëve për ta zgjidhur këtë çështje, por nuk ia dolëm”, tha Khamenei.
Pavarësisht një bojkoti kombëtar të paprecedent të farsës së zgjedhjeve dhe zemërimit ndërkombëtar, Khamenei nxori Raisin fitimtar nga kutitë e votimit në vitin 2021. Raisi është i njohur për rolin e tij në masakrën e vitit 1988 ndaj 30,000 të burgosurve politikë, shumica e të cilëve ishin anëtarë dhe mbështetës të opozitës kryesore të Iranit, Muxhahedin-e Khalq.
Zgjedhja e Raisit si president ishte pjesa e fundit që i mungonte Khameneit për konsolidimin e pushtetit, pas vetingut të rreptë të anëtarëve të parlamentit në vitin 2020. Protestat e mëdha në Iran në vitet 2018 dhe 2019 tronditën themelet e regjimit dhe Khamenei e kuptoi se kundërshtimi më i vogël në radhët e regjimit do të përshpejtonte procesin e rënies. Pra, për të shpëtuar regjimin, Khamenei u përpoq të forconte radhët e tij. Pavarësisht premtimeve dhe pretendimeve të tij të shumta, presidenca e Raisit nuk kishte për qëllim të trajtonte katastrofën financiare në vend apo problemet sociale. Detyra e tij e vetme ishte të shtypte shoqërinë e trazuar.
Pra, pse po përpiqet tani Khamenei të heqë çdo faj nga vetja si lideri suprem i këtij regjimi? Përgjigja qëndron në rrugët e Teheranit dhe qyteteve të tjera, ku për pesë muajt e fundit, njerëzit kanë vazhduar kryengritjen e tyre për të rrëzuar regjimin në tërësinë e tij duke u fokusuar në sloganin kryesor “Vdekje Khameneit”.
Duke thirrur slogane kundër Khameneit dhe duke u përballur të paarmatosur me forcat e tij represive, iranianët konfirmojnë se problemet e vendit burojnë nga korrupsioni, keqmenaxhimi dhe paaftësia e regjimit. Vazhdimi i protestave kundër regjimit, pavarësisht nga shtypja e rëndë, tregon gjithashtu natyrën e organizuar të asaj që shumë e konsiderojnë si revolucion në zhvillim e sipër.
Duke mos patur ndonjë zgjidhje për problemet e Iranit dhe me vazhdimin e protestave në vend, Khamenei ndjeu rrezikun dhe pa në horizont rënien e regjimit të tij. Prandaj, si një njeri që po mbytet, ai ngjitet pas çdo gjëje që gjen dhe e tërheq edhe atë me vete. Pra, nuk është çudi që ai tani fajëson Raisin për situatën aktuale në përpjekje për të keqorientuar opinionin publik, sikur problemet janë për shkak të keqmenaxhimit nga pushteti ekzekutiv. Por siç kanë thirrur iranianët nëpër rrugë: “Varfëri, korrupsion dhe çmime të larta; Përpara drejt përmbysjes [së regjimit]” dhe “Premtimet e tyre janë një iluzion, zgjidhja është revolucioni”, duke treguar se ata nuk pranojnë asgjë më pak se ndryshimin e regjimit.