Saturday, January 28, 2023

Pavarësisht Ngurrimit, BE Përballet me Gjithnjë e më Shumë Presion për Etiketimin e Gardës Revolucionare të Iranit si Organizatë Terroriste 

Të martën, Ministria e Jashtme e Francës u shpreh se është e hapur ndaj idesë së etiketimit të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit si një organizatë terroriste. Zëdhënësja e ministrisë, Anne-Claire Legendre vuri në dukje përkeqësimin e represionit ndaj kryengritjes katërmujore anti-qeveri në Iran kur shpjegoi se “Franca po punon me partnerët e saj evropianë për sanksione të reja, pa përjashtuar asnjë nga të mëparshmet”.

Këto komente erdhën një ditë pasi kancelari gjerman Olaf Scholz dhe ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock u shprehën kundër dy ekzekutimeve që u kryen të shtunën kundër protestuesve iranianë të cilët ishin dënuar me akuzën e paqartë politike të “përhapjes së korrupsionit në Tokë”. Ndërsa Scholz thjesht premtoi të rriste më tej presionin mbi regjimin iranian me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë, Baerbock deklaroi shprehimisht se “listimi i Gardës Revolucionare si një organizatë terroriste është i rëndësishëm politikisht dhe ka kuptim” në kontekstin e zhvillimeve të fundit.

Këto zhvillime nuk kufizohen në përhapjen e trazirave të brendshme në Republikën Islamike dhe represionit shtetëror që i shoqëron këto trazira, por gjithashtu përfshijnë përshkallëzime në sjelljen e Iranit ndaj kundërshtarëve të huaj dhe në mbështetje të aleatëve të huaj.