Thursday, February 9, 2023

Opozita e Iranit Përsërit Thirrjen për Bojkot të Zgjedhjeve

 

Javën e shkuar, Këshilli iranian i Gardianëve miratoi vetëm shtatë kandidatë për zgjedhjet presidenciale të këtij muaji, nga 592 persona që ishin regjistruar për të kandiduar, duke eliminuar kështu shumë nga kandidatët reformistë.

Shumë nga ata që nuk e njohin mirë regjimin janë tronditur, por opozita iraniane e ka ditur që kjo do të ndodhte, pasi lideri suprem Ali Khamenei ka nevojë ta konsolidojë pushtetin e tij pas kryengritjeve mbarëkombëtare të 2018-ës, 2019-ës, dhe 2020-ës, e sidomos pas traumës së pandemisë.

Një nga kandidatët e miratuar është kreu i Gjyqësorit, Ebrahim Raisi, i cili është famëkeq për rolin e tij në Komisionin e Vdekjes gjatë masakrës së 1988-ës kur 30,000 të burgosur politikë u vranë brenda vetëm pak muajsh.

Është e qartë që ai është i parapëlqyeri sepse Khamenei ka nevojë për një njeri me një histori të shtypjes ndaj disidentëve, si gjatë masakrës, ashtu edhe në rolin e tij aktual, teksa mullahët shohin protesta të përditshme nga pothuajse çdo sektor i vendit, për shkak të krizave të ndryshme me të cilat ata po përballen.

Ndërkohë që kandidatët e refuzuar shprehin mbështetje për Raisi-n dhe bëjnë thirrje për një pjesëmarrje të lartë në zgjedhje, thjesht sepse ruajtja e pushtetit të regjimit u intereson të gjithë mullahëve, Organizata Muxhahedine e Popullit të Iranit (PMOI/MEK) dhe njësitë e saj të brendshme i kanë shtuar thirrjet e tyre për një bojkot zgjedhor përmes slloganeve anti-regjim të ngjitura nëpër mure në mbarë vendin dhe të postuara në rrjetet sociale me hashtag-un #BoycottIranShamElections (Bojkotoni Farsën e Zgjedhjeve të Iranit), hashtag që shpërndarë mbi 121,000 herë brenda vetëm pak orësh. Një nga këto sllogane është “Kemi dëgjuar kaq shumë gënjeshtra saqë nuk do të votojmë më.”

Njëra nga këta aktivistë ka folur për Times Radio së fundmi dhe ka thënë se asnjë prej njerëzve që ajo njeh nuk do të votojë.

Ajo tha: “Të gjithë kandidatët janë njësoj për ne dhe në 42 vitet e fundit, zgjedhjet nuk kanë patur asnjëherë si qëllim shprehjen e zgjedhjes popullore por një selektim nga ana e liderit suprem.”

Bojkoti i zgjedhjeve mbështetet nga udhëheqësja e opozitës, Maryam Rajavi, e cila e ka përsëritur këtë thirrje më 25 maj, duke u kërkuar njerëzve të protestojnë kundër reduktimit të kandidatëve, e duke thënë se nuk ka asnjë justifikim për ta paqësuar regjimin.

Opozita iraniane shkruan: “E vërteta është se regjimi po lufton për të mbijetuar dhe ndodhet midis dy zjarresh. Khamenei nuk kishte zgjedhje tjetër përveçse t’i ngushtonte rradhët dhe ta spastronte fraksionin rival. Regjimi do të bëhet më i brishtë përballë kryengritjes mbarëkombëtare që duket në horizont. Dhe kur kjo të ndodhë, do të jetë shumë më intensive dhe e përhapur sesa në vitet e mëparshme. Me pak fjalë, për Khamenei-n, kjo është një betejë mbijetese.”