Marrëveshja më e Fundit e Iranit me IAEA-në Është me Shumë Mundësi një Tjetër Shembull i ‘Përpjekjes për të Fituar Kohë’

776

U raportua të enjten se kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Rafael Grossi, ka lidhur edhe një herë marrëveshje me regjimin iranian për të vonuar kolapsin e plotë të programit monitorues i cili ka qenë jetik për ta mbajtur në jetë paktin bërthamor të vitit 2015 me Iranin.

Që nga shkurti, misioni i IAEA-së në Iran është penguar në masë të madhe nga kufizimet e vendosura nga autoritetet iraniane si pjesë e një përpjekjeje për t’i bërë presion Shteteve të Bashkuara në mënyrë që ato t’i ofrojnë Iranit lehtësim nga sanksionet e rivendosura pas tërheqjes në 2018-ën të SHBA nga Plani Gjithëpërfshirës i Veprimit. Por negociatat e Grossi-t me autoritetet iraniane kanë parandaluar dëbimin e plotë të inspektorëve të IAEA-së nga vendi. Megjithëse nuk u larguan nga vendi, ata hasën pengesa të mëdha në kryerjen e inspektimeve direkte, madje edhe në aksesimin e filmimeve të kamerave të survejimit dhe të dhënave të tjera.

Teherani premtoi se do t’i ruante ato të dhëna dhe do t’ia dorëzonte IAEA-së pas rivendosjes së JCPOA-së. Por në shtator, kjo marrëveshje u përball me një problem pasi pajisjet në fjalë e kaluan afatin e mirëmbajtjes rutinë, pa të cilën hard-disqet nuk do të kishin më vend për regjistrime të reja. Dy javë pas këtij afati, u raportua se Grossi kishte lidhur një marrëveshje tjetër që u lejonte inspektorëve të kryenin mirëmbajtjen e nevojshme dhe të zëvendësonin hard-disqet, megjithëse origjinalet do të mbeteshin ende në posedim të Iranit.

Ndonëse kjo dukej se do ta zgjidhte çështjen, në fakt mbeti një boshllëk dy javor në regjistrin e përhershëm të IAEA-së lidhur me veprimtaritë iraniane, duke e lënë ndërkohë agjencinë të privuar për një kohë të pacaktuar nga qasja në atë regjistër. Për më tepër, shpejt u zbulua se Teherani po e shkelte vetë marrëveshjen e tij në një nga komplekset më të rëndësishme duke refuzuar t’u jepte inspektorëve akses në objektin e prodhimit të centrifugave të njohur si TESA Karaj.

Në qershor, ai objekt pësoi dëme në një ngjarje që Irani e përshkroi si akt sabotimi. Ky pretendim nuk u konfirmua kurrë dhe është e mundur që dëmi të ketë qenë në fakt rezultat i veprimtarive të paligjshme për  përmirësimin e centrifugave të afta për ta pasuruar uraniumin në nivele gjithnjë e më pranë kritereve për prodhimin e një arme. Ky shpjegim alternativ mbështetet nga fakti se Irani kishte instaluar më parë “kaskada” centrifugash disa gjenerata më të avancuara sesa pajisjet IR-1 të lejuara sipas kushteve të JCPOA.

Cilido qoftë shkaku themelor, ajo që ndodhi në TESA Karaj supozimisht dëmtoi njërën nga katër kamerat atje. Në vend që ta riparonin ose ta zëvendësonin atë, autoritetet iraniane i hoqën edhe tre kamerat e tjera, duke e nxitur kështu IAEA-në të shprehte përsëri shqetësim në lidhje me mungesën e transparencës dhe refuzimin e regjimit për të bashkëpunuar. Teherani më pas ofroi një shpjegim të vonuar në lidhje me dyshimet se një apo më shumë kamera ishin hakuar, por nuk dha asnjë provë për ta mbështetur këtë pohim, të cilin Grossi e hodhi poshtë duke e quajtur “absurd” në një intervistë me Associated Press këtë javë.