Friday, March 29, 2024

Kryetari i Komitetit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë Nxit Sanksione më të Forta, Paralajmëron Kundër një Marrëveshjeje të Keqe me Teheranin

Të martën, më 1 shkurt, senatori amerikan Bob Menendez (D-N.J.), Kryetar i Komitetit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, mbajti një fjalim para Senatit për të paraqitur shqetësimet e tij në rritje për raundin më të fundit të negociatave të administratës Biden lidhur me Planin e Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit (JCPOA), ndërkohë që regjimi iranian vazhdon të avancojë me shpejtësi në programin e tij bërthamor, programin e raketave balistike, dhe luftënxitjen në Lindjen e Mesme.

“Si dikush që e ka ndjekur ambicien bërthamore të Iranit për pjesën më të madhe të tre dekadave, unë jam këtu sot për të ngritur shqetësime rreth raundit aktual të negociatave mbi Planin e Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit dhe programin bërthamor të Iranit që po përshkallëzohet me shpejtësi dhe në mënyrë të rrezikshme duke e vënë atë në prag të disponimit të materialit të mjaftueshëm për një armë bërthamore,” tha kryetari Menendez.

“Me marrjen e detyrës, qeveria Raisi braktisi të gjitha marrëveshjet e mëparshme dhe, siç e përmenda, e bëri absolutisht të qartë se raketat balistike të Iranit dhe rrjetet proksi të tij në rajon janë ‘të panegociueshme’. Për më tepër, në këtë pikë, ne duhet ta pyesim seriozisht veten se çfarë po përpiqemi të shpëtojmë, saktësisht?” tha senatori amerikan.

“Së pari, shqetësimi im kryesor me JCPOA-në ishte se nuk kërkonte çmontimin e plotë të infrastrukturës bërthamore të Iranit.” Kryetari Menendez vazhdoi: “Në vend të kësaj, e ruajti atë infrastrukturë për 10 vjet, duke e bërë shumë të lehtë për Iranin të rifillonte programin e tij të paligjshëm bërthamor në një moment të zgjedhur prej tij. Marrëveshja nuk i kërkoi Iranit të shkatërronte apo çaktivizonte plotësisht asnjë centrifugë të pasurimit të uraniumit. Në fakt, më shumë se gjysma e centrifugave operative të Iranit në atë kohë, ishin në gjendje të vazhdonin punën në kompleksin e tij në Natanz… Sot, Irani ka më shumë materiale të zbërthyeshme – 2500 kg, centrifuga më të avancuara dhe një kohë më të shkurtër breakout-i (koha e nevojshme për ta patur gati materialin e zberthyeshem) – tre deri në katër javë – se sa kishte në vitin 2015”.

Kryetari Menendez nënvizoi se gjatë dy dekadave, regjimi iranian kishte ndjekur të tre elementët e nevojshëm për të krijuar dhe përdorur një armë bërthamore, përkatësisht materialin e zbërthyeshëm që tani tregon se pragu i kohës është tre deri në katër javë, kërkimin dhe zhvillimin shkencor për të ndërtuar kokat bërthamore dhe raketat balistike për t’i lëshuar ato.

Duke përmendur sulmet më të fundit me raketa dhe dronë kundër trupave amerikane në Lindjen e Mesme, Menendez tha: “Unë mbetem shumë skeptik se Irani do të pezullojë ndonjë nga aktivitetet e tjera kërcënuese dhe destabilizuese, që nga zhvillimi i raketave balistike deri te mbështetja për proksit terroristë. Edhe kur Shtetet e Bashkuara, partnerët tanë P5+1 dhe Irani u mblodhën në Vjenë për negociata indirekte për kthimin në JCPOA, liderët e Iranit morën përsipër të krijonin armiqësi me të gjitha palët dhe të tregonin – sipas mendimit tim – qëllimet e tyre të vërteta”.

Kryetari Menendez i bëri thirrje administratës Biden dhe P5+1 që të shqyrtojnë strategji të reja për ta dobësuar programin bërthamor të Teheranit dhe të adresojnë aktivitetet e tij të rrezikshme dhe të liga, si më poshtë:

  • Së pari, ne duhet të kërkojmë ratifikimin e menjëhershëm nga Irani të Protokollit Shtesë në mënyrë që të sigurojmë një marrëveshje të përhershme ndërkombëtare me Iranin për akses në komplekse të dyshimta.
  • Së dyti, ne kemi nevojë për një ndalim të kërkimit dhe zhvillimit mbi centrifugat për të gjithë kohëzgjatjen e një marrëveshjeje të tillë – sepse është ky kërkim dhe zhvillim i avancuar që e ka lejuar Iranin të jetë katër javë larg kalimit të pragut bërthamor, në mënyrë që Irani të mos ketë kapacitetin për një breakout të shpejtë. Ashtu siç janë të padiskutueshme Rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe rikthimi i sanksioneve.
  • Së treti, Irani duhet ta mbyllë kompleksin e pasurimit në Fordow.
  • Së katërti, bota ka nevojë për një pamje të plotë të ‘dimensioneve të mundshme ushtarake të programit të Iranit. Nëse Irani nuk do të bashkëpunojë për një analizim gjithëpërfshirës të dimensioneve ushtarake të programit të tij, atëherë duhet të rikthehen sanksionet automatike.
  • Së pesti, na duhet një marrëveshje e përhershme, jo thjesht të zgjasim afatin e marrëveshjes.
  • Dhe së gjashti, duhet të biem dakord se çfarë ndëshkimesh do të vendosen kolektivisht nga P5+1 për shkeljet iraniane, qofshin të vogla apo të mesme, si dhe nevojitet një deklaratë e qartë në lidhje me të ashtuquajturën klauzolë të gjyshit në paragrafin 37 të JCPOA-së, për t’u siguruar që qëndrimi i SHBA-së për mosmbrojtjen e kontratave të lidhura ligjërisht pas ri-vendosjes së sanksioneve të ndahet edhe nga aleatët tanë.

“Gjithashtu, e rëndësishme do të ishte t’u sigurohen si aleatëve dhe partnerëve lokalë, ashtu edhe instalimeve dhe aseteve të SHBA-së në rajon, kapacitete të zgjeruara mbrojtëse për t’u përballur me çfarëdo veprimesh hakmarrëse që Irani mund të zgjedhë të bëjë, duke sinjalizuar kështu gatishmërinë tonë për të vepruar, në rast nevoje.” shtoi Menendez.

Senatori i lartë përfundoi duke thënë: “Sot i bëj thirrje administratës Biden dhe komunitetit ndërkombëtar që të zbatojnë me energji dhe rigorozitet sanksionet, të cilat kanë rezultuar të jenë ndër mjetet tona më të fuqishme për të ndikuar te liderët e Iranit dhe IRGC-së. Ne nuk mund të lejojmë që të biem pre e kërcënimeve të Iranit për një marrëveshje të keqe ose të përkohshme që e lejon atë të vazhdojë ta rrisë kapacitetin e tij bërthamor… Shpresa është pjesë e natyrës njerëzore, por për fat të keq, ajo nuk është një strategji për sigurinë kombëtare… Ne duhet t’i mirëpresim përdorimet legjitime dhe të verifikueshme si paqësore të energjisë bërthamore, por duhet të mbetemi besnikë ndaj parimeve tona të mospërhapjes dhe dëshirës sonë të palëkundur për të ndërtuar një botë më të qëndrueshme, më të sigurt dhe të begatë ku populli amerikan dhe të gjithë njerëzit paqedashës të lulëzojnë. Për ta bërë këtë, Irani nuk mund dhe nuk duhet të zotërojë një armë bërthamore.