- Turma rrethon policin iranian që rreh brutalisht shitësin e rrugës
Të mërkurën në mediat sociale ka qarkulluar gjerësisht një video ku tregohet një turmë e madhe që rrethon policët iranianë në Teheran pasi ata rrahën brutalisht një shitës rruge dhe shkatërruan karrocën e tij të vogël.
Një grup të rinjsh i rrethoi policët të cilët rrinin në makinën e tyre. Njerëzit në rrugë dëgjohen tek u kërkojnë policëve të dalin nga makina, duke thirrur “dilni jashtë”, por ata refuzojnë dhe mbulojnë fytyrat për të mos u shfaqur në kamera.
Miliona qytetarë iranianë punojnë si shitës rruge për t’ia dalë mbanë mes varfërisë në rritje dhe situatës së vështirë ekonomike në vend. Megjithatë, autoritetet iraniane ua kanë ndaluar me ligj këtyre njerëzve të shesin në rrugë për shkak të ankesave nga pronarët e dyqaneve.
Protestat janë shtuar në vend, ku në shumë raste, demonstruesit thërrasin “Jo Gaza, jo Libani, shpirti im është për Iranin” duke shprehur zemërimin e publikut ndaj shpenzimit të biliona parave iraniane për militantët që ndërhyjnë në punët e shteteve arabe.
- Ministri i regjimit iranian tronditet nga kërkesat e importit me vlerë $250 Bilion
Ministri iranian i Industrisë, Minierave dhe Biznesit thotë, lëkundjet në tregun vendas forex në katër muajt e shkuar e kanë trefishuar numrin e aplikacioneve për liçensa importi me vlerë $250 bilion dollarë.
Duke e përshkruar këtë shifër si të “pabesueshme”, Mohammad Shariatmadari ka insistuar që “një numër” individësh spekulatorë po përpiqen të “peshkojnë në ujra të trazuara”, duke iu referuar krizës aktuale ekonomike dhe të monedhës.
Shifra prej $250 bilion është pothuajse trefishi i të ardhurave vjetore të Iranit nga nafta.
Aplikacionet e importit janë kërkesa nga importuesit për të marrë dollarë më të lirë e të subvencionuar, apo monedha të tjera të forta nga qeveria.
- Gratë luajtën role të rëndësishme në protestat e fundit në Teheran dhe Rasht
Më 14 gusht, gratë iu bashkuan protestës së investitorëve të plaçkitur të institucioneve iraniane Caspian Credit dhe Alborz përpara Bankës Qendrore në Teheran, Iran. Turma protestuese ia përplasi në fytyrë regjimit premtimet e tij boshe dhe njerëzit kërkuan rikthimin e parave të tyre pas dy vitesh protesta. Ata akuzuan zyrtarët për mashtrim dhe mospërfilljen ndaj shportave të tyre bosh.
Gratë luajtën një rol të rëndësishëm edhe në protestën e punonjësve të kompanisë Edalat Stocks të mbajtur përpara Ministrisë së Punëve Ekonomike dhe Financës në Teheran.
- Zyrtari nga Teherani: ‘Tsunami’ i Varfërisë po e Mbyt Iranin
Një udhëheqës bashkiak në kryeqytetin iranian, Teheran, ka nxjerrë një paralajmërim të fortë për problemet ekonomike të Iranit, duke thënë se një “tsunami” varfërie po e mbyt shoqërinë.
Media shtetërore iraniane ka thënë që Kreu i Këshillit të Qytetit të Teheranit, Mohsen Hashemi Rafsanjani e ka bërë këtë koment në një fjalim të martën për qeverisjen urbane në qytet.
“Sot, varfëria po e mbyt shoqërinë si një tsunami,” citohet të ketë thënë Rafsanjani. Ky lider bashkiak i Teheranit është djali i madh i ish-Presidentit të ndjerë të Iranit, Akbar Hashemi Rafsanjani.