Britania ka arritur në përfundimin se regjimi i Iranit ka qenë përgjegjës për sulmet mbi objektet e naftës në Arabinë Saudite, tha të hënën Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson.
Shtetet e Bashkuara dhe Arabia Saudite e kanë fajësuar tashmë regjimin e Iranit për sulmet e 14 shtatorit mbi dy uzinat Aramco të naftës, sulme të cilat në fillim e përgjysmuan prodhimin e naftës në vend.
“Britania ia ngarkon përgjegjësinë me një shkallë shumë të lartë probabiliteti Iranit për sulmet mbi uzinat Aramco. Mendojmë se ka shumë gjasa që Irani është vërtetë përgjegjës,” u tha Johnson reporterëve gjatë fluturimit për në Asemblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York.
“Do të punojmë me miqtë tanë amerikanë dhe miqtë tanë europianë për të planifikuar një përgjigje që të përpiqet ta ulë përshkallëzimin e tensioneve në rajonin e Gjirit Persik,” tha ai, sipas Reuters.
Edhe Sekretari i Jashtëm britanik Dominic Raab ka thënë se është shumë e mundshme që regjimi i Iranit të jetë përgjegjës për sulmin.
“Mbretëria e Bashkuar beson se është shumë e mundshme që Irani të ketë qenë përgjegjës për sulmin skandaloz e të jashtëligjshëm mbi objektet e naftës në Arabinë Saudite,” tha Raab në Twitter.
“Do të punojmë me partnerët tanë ndërkombëtarë për një përgjigje të shëndoshë diplomatike dhe për stabilitetin në rajon,” shtoi ai.
Një zyrtar britanik tha për The Associated Press se pretendimi i rebelëve Houthi të lidhur me Iranin në Jemen për përgjegjësinë për sulmet është “jo bindës.” Ai tha se në vendin e sulmit janë gjetur mbetje të raketave kruz të prodhuara nga Irani, dhe “sofistikimi është një provë shumë, shumë e fortë për përfshirjen e Iranit.” Ai foli me kusht që të mbetej anonim për të diskutuar gjetjet e inteligjencës.
Znj. Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), e ka përshkruar sulmin mbi instalacionet e naftës të një shteti fqinj si një hap madhor dhe një fazë të re në agresionet luftënxitëse të diktaturës fetare që sundon Iranin, duke shtuar se ushtrimi i forcës dhe vendosmërisë është e vetmja gjuhë që mullahët kuptojnë.
Mosveprimi vetëm sa e trimëron këtë regjim mesjetar, viktima kryesore e të cilit është populli iranian, vuri në dukje ajo, duke theksuar se zgjidhja përfundimtare për t’ia hequr qafe botës fashizmin fetar që ka pushtetin në Iran, i cili është burimi i të gjitha krizave në rajon, është ndryshimi i këtij regjimi jo-legjitim nga populli iranian dhe lëvizja e organizuar e rezistencës së tij. Për këtë arsye,
- Duhet të rikthehen rezolutat e mëparshme të Këshillit të Sigurisë të Kombeve të Bashkuara mbi projektin e armëve bërthamore të mullahëve dhe ndalimi mbi pasurimin.
- Dëbimi i regjimit, Gardës së tij Revolucionare dhe grupeve militante mercenare nga Iraku, Siria, Jemeni, Libani dhe Afganistani është një nevojë urgjente.
- Bashkimi Europian duhet t’i vendosë në listën e terroristëve Khamenei-n, zyrat e tij, IRGC-në dhe Ministrinë e Inteligjencës.
- Këshilli i Sigurisë i OKB-së duhet t’ia referojë një gjykate ndërkombëtare dosjen e abuzimeve dhe mizorive mbi të drejtat njerëzore të kryera nga regjimi klerikal, sidomos të masakrës së 30,000 të burgosurve politikë në 1988-ën.
- Komuniteti botëror duhet ta njohë të drejtën e Rezistencës së popullit iranian për ta përmbysur teokracinë në pushtet dhe për të fituar lirinë.