Thursday, February 2, 2023

Irani i Lirë 2021: Një Kryengritje e Re Duket në Horizont pas Farsës së Zgjedhjeve

 

Në maj, Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit zhvilloi një konferencë për shtyp që kishte për qëllim të sillte në vëmendjen ndërkombëtare rrethanat e veçanta të zgjedhjeve presidenciale të regjimit iranian. Në këtë konferencë, Kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme të NCRI, Mohammad Mohaddessin, nënvizoi rritjen e lëvizjes për bojkot zgjedhor dhe parashikoi se suksesi i kësaj lëvizjeje do të ishte një shenjë veçanërisht e qartë e një “kryengritjeje mbarëkombëtare në horizont,” shpërthimi i të cilës do të ishte “shumë më intensiv e i përhapur” sesa kryengritja e nëntorit 2019 që përfshiu gati 200 qytete iraniane të mëdha e të vogla.

Më 18 qershor, pjesa e parë e parashikimit të NCRI-së u vërtetua kur edhe vetë autoritetet e regjimit regjistruan një pjesëmarrje tepër të ulët, në nivel historik, të votuesve. E nesërmja e asaj dite u shënua nga protesta të reja të cilat theksuan sigurinë e popullsisë se ndryshimi në administratën presidenciale nuk do të bënte asgjë për të zgjidhur krizat që kanë pllakosur ekonominë, shëndetin publik, e kështu me radhë. Kjo ndjenjë ishte shprehur edhe më përpara përmes protestave të shumta gjatë periudhës përpara zgjedhjeve, protesta ku njerëzit thërrisnin me sllogane pro lëvizjes për bojkot zgjedhor, e cila po promovohej nga Organizata Muxhahedine e Popullit të Iranit (PMOI/MEK).

Për dy muaj përpara zgjedhjeve, “Njësitë e Rezistencës” të lidhura me MEK kishin organizuar demonstrata publike dhe kishin vendosur afishe me mesazhe e foto në hapësira publike, duke promovuar bojkotin zgjedhor si një mjet për “të votuar për ndryshim regjimi.” Ndërkohë, punëtorët, pensionistët dhe investitorët e klasave të mesme organizuan protestat e tyre duke deklaruar se nuk kishin ndërmend të përfshiheshin më në procesin politik për sa kohë që ai të udhëhiqet nga i njëjti sistem tiranik teokratik. “Nuk kemi parë drejtësi,” shpjegonin shumë nga këta protestues, duke shtuar se, “Nuk do të votojmë më.”

Për protestues të panumërt, ky mesazh kishte pa dyshim qëllimin t’ia mohonte legjitimitetin politik presidentit të ardhshëm të regjimit, Ebrahim Raisi. Përzgjedhja e kryegjyqtarit aktual si president më 18 qershor nuk ka qenë asnjëherë në dyshim, falë kontrollit të rreptë mbi procedurat politike të ushtruar nga autoritete të pazgjedhura, përfshirë Liderin Suprem Ali Khamenei. Khamenei e kishte bërë të qartë me kohë se Raisi ishte zgjedhja e tij për marrjen e presidencës pas përmbylljes së mandatit të dytë të Hassan Rouhani-t. Si rrjedhim, Këshilli i Gardianëve, një organ 12-anëtarësh me fuqinë për të thënë fjalën e fundit lidhur me legjislacionet dhe kandidatët për poste të larta, përjashtoi virtualisht të gjitha figurat e tjera të larta nga gara për president, duke e bërë kështu procesin e votimit thjesht një formalitet, madje edhe më shumë se zakonisht.

COVID-19 Claims 300,000 Victims in Iran