Saturday, July 27, 2024

Iran: Vizita e Raisi-t në Rusi, Shumë Zhurmë për Asgjë

Tetor 2021 – mbështetësit e NCRI protestojnë jashtë Konferencës së OKB për Ndryshimet Klimatike COP26 në Glasgow. Ebrahim Raisi e anuloi planin për të marrë pjesë në këtë konferencë nga frika se do të arrestohej për rolin e tij në masakrën ndaj të burgosurve politikë në Iran, në 1988-ën.

Presidenti i regjimit iranian, Ebrahim Raisi, e përfundoi vizitën e tij në Rusi më 20 janar. Ajo supozohej të shënonte një përmirësim të konsiderueshëm në marrëdhëniet Iran-Rusi, duke i hapur rrugën marrëveshjeve historike që do ta nxirrnin regjimin nga ngërçi aktual i marrëdhënieve me komunitetin ndërkombëtar duke zbutur edhe sanksionet e SHBA-së. Por në vend të kësaj, Raisi u kthye në shtëpi i demoralizuar dhe duarbosh, madje edhe media shtetërore u tall me këtë vizitë.

Shumica e mediave shtetërore të Iranit u tallën me vizitën e Raisit në Rusi dhe kërkuan llogari për të ashtuquajturin slogan “revolucionar” “As Perëndim, as Lindje”, të gdhendur në hyrje të Ministrisë së Jashtme.

Ndërkohë, ato media që janë të lidhura me fraksionin e Raisit iu gëzuan vizitës së tij në Rusi, madje përpara se ai të kishte mundësinë të takonte presidentin rus Vladimir Putin.

Disa muaj më parë, regjimi shpalli se ishte bërë anëtar i Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO). Presidenti rus Vladimir Putin i kujtoi Raisit se Teherani ka vetëm statusin e “vëzhguesit”.

Shtatorin e kaluar, agjencitë zyrtare të lajmeve e konsideruan anëtarësimin e regjimit në Organizatën e Bashkëpunimit të Shangait si arritje të rëndësishme të qeverisë Raisi. “Gjatë vizitës së Raisit në Rusi, megjithatë, u bë e qartë se [regjimi] është pranuar si një shtet vëzhgues në SCO,” shkroi uebsajti shtetëror Dideban më 20 janar.

Raisi e përshkroi vizitën e tij në Rusi si një pikë kthese. “Ne kemi interesa të përbashkëta me Rusinë dhe bashkëpunimi dhe interesat tona të përbashkëta sigurisht që mund të promovojnë sigurinë dhe të luftojnë unilateralizmin në rajon,” tha ai.

Në vitin 2018, mentori i Raisi-t, Udhëheqësi Suprem Ali Khamenei pati folur për politikën e jashtme të ashtu-quajtur “të animit drejt Lindjes”. Si pjesë e kësaj politike, Raisi udhëtoi për në Rusi, duke shpresuar se mund të siguronte mbështetjen e Rusisë ndërsa forcohej perspektiva e një qëndrimi më të ashpër perëndimor në lidhje me ambiciet bërthamore të Teheranit. Regjimi kërkonte të shfrytëzonte tensionet ekzistuese midis Rusisë dhe fuqive perëndimore.

Mohammad Reza Sajadi, ish-ambasadori i regjimit në Rusi, tha në televizionin shtetëror Ofogh më 19 janar se shefi i shtabit i Putinit i ka thënë atij qartazi: “Nëse ju ndërtoni një armë bërthamore, siguria jonë do të rrezikohet”.