Rritja e Çmimit të Bukës Shkakton Trazira në Regjimin Iranian

608

Ç’të mbjellësh do korrësh, dhe tani qeveria e Ebrahim Raisit duhet të përballet me pasojat e të luajturit me kurset e monedhave. Ndërsa çmimet e ushqimeve bazë rriten në Iran, zyrtarët e regjimit paralajmërojnë për reagimet e njerëzve dhe për një kryengritje të afërt.

Më 5 maj, çmimet e bukës dhe makaronave, dy artikuj ushqimorë që populli në Iran ende mund t’i përballonte, u rritën papritur. Shumë ekonomistë dhe zyrtarë të regjimit ia atribuojnë këtë rritje heqjes së “normës preferenciale” të përdorur për importin e drithërave.

Sipas shtetërores Bahar News më 5 maj, çmimi i orizit është “rritur me 130% në tetë muajt e fundit”.

Njerëz nga të gjitha sferat e shoqërisë kanë bërë thirrje për protesta dhe në Khuzestan vendasit dolën në rrugë. Interneti në Khuzestan është ngadalësuar shumë dhe forcat e sigurisë janë në gatishmëri. Situata aktuale ka shkaktuar shumë shqetësim tek zyrtarët e regjimit.

“Çmimet tejet të larta e kanë rënduar së tepërmi popullin. Qeveria kishte premtuar se do t’i ndihmonte njerëzit duke u dhënë atyre kupona, por ka dështuar. Situata aktuale e ka rritur pakënaqësinë e njerëzve. Kam frikë se kjo vonesë mund të shkaktojë protesta të popullit,” tha Mostafa Mirsalim, një nga deputetët e regjimit, më 6 maj, siç citohet nga faqja shtetërore Entekhab.

“Plani i qeverisë për t’i ndihmuar njerëzit duke dhënë kupona dhe subvencione do t’i lejonte ata të merrnin një të shtatën e një buke,” citohet në faqen shtetërore Tabnak deputeti Ehsan Arkani më 6 maj.

“Kemi 9 milionë familje nën kufirin e varfërisë. Ne nuk mund t’i zgjidhim problemet ekonomike të njerëzve duke i zhytur duart edhe më thellë në xhepat e tyre. Në këtë mënyrë nuk do ta zhduknim varfërinë. Vetëm do ta rrisnim atë,” citohet deputeti Mohammad Asafri nga faqja shtetërore Entekhab më 6 maj.

“Çmimet po rriten dhe nëse kjo prirje vazhdon, kapitali kombëtar [siguria e regjimit] do të humbasë,” tha më 5 maj Solat Mortazavi, zëvendës presidenti ekzekutiv i Raisit, siç citohet nga agjencia zyrtare e lajmeve IRNA.

Pas muajsh përplasjesh, qeveria e Raisit dhe parlamenti i zgjedhur i regjimit miratuan eliminimin e të ashtuquajturës “norma preferenciale e monedhës”, ose norma zyrtare prej 42000 rialësh për një dollar. Qeveria e Hassan Rouhanit e futi normën preferenciale në vitin 2016 në një përpjekje për të kontrolluar tregun e luhatshëm dhe për të parandaluar disi protestat e njerëzve pasi çmimet e mallrave bazë të konsumit po rriteshin.