Nevojiten më Shumë Masa për të Luftuar Keqinformimin Iranian pas Mbylljes sw Llogarive nga Facebook

678

IRGC-cyber-army-12122020 (2)

Facebook ka publikuar së fundmi gjetjet e raportit të shtatorit mbi sjelljet e koordinuara jo-autentike dhe ka shpallur rastin më të fundit të fshirjeve në masë të përmbajtjeve mashtruese me origjinë nga Irani. Raporti specifikon se 93 llogari në Facebook dhe 194 llogari në Instagram janë mbyllur për arsye se kanë qenë pjesë e rrjetit në fjalë, së bashku me 14 faqe e 15 grupe. Këta numra duken modestë në krahasim me mijëra llogaritë që janë mbyllur nga Facebook dhe Twitter gjatë viteve të fundit, por ata nënvizojnë faktin që keqinformimi që vjen nga regjimi iranian është një tipar me prani të gjerë në peizazhin e rrjeteve sociale, dhe se përpjekjet për ta luftuar atë deri tani kanë patur sukses vetëm me raste.

Shumë raporte të tjera mbi sigurinë online kanë arritur në përfundimin se metodat e Iranit po bëhen gjithnjë e më të sofistikuara në disa fusha, si në spiunazhin kibernetik dhe në koordinimin e sjelljeve jo-autentike në rrjetet sociale. Raporti i shtatorit nga Facebook e vë në dukje nivelin e lartë të këtij koordinimi duke zbuluar se liderët e rrjetit iranian në fjalë janë identifikuar specifikisht si anëtarë të grupit konservator paramilitar të Iranit, Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike. Me sa duket ky është rrjeti i parë që është identifikuar në mënyrë të tillë, si dhe i pari që i ka fokusuar përpjekjet e tij pothuajse krejtësisht tek audienca e iranianëve brenda vendit.

Facebook ofroi screenshots si shembuj të këtyre sjelljeve inautentike në njoftimet e tij të hënën. Në njërin prej këtyre screenshot-eve, zotëruesit e llogarisë kishin marrë në shënjestër grupin kryesor opozitar pro demokracisë, Organizatën Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI/MEK), dhe kishin përsëritur akuzimet e njohura tashmë për mungesën e mbështetjes popullore për këtë grup brenda Iranit. Postimi pretendonte se ky grup, i cili është formuar përpara revolucionit të 1979-ës dhe më vonë ka kundërshtuar formimin e një regjimi teokratik nga Ruhollah Khomeini, tashmë është vjetëruar dhe i ka humbur rëndësia, duke qenë se shumica e anëtarëve janë të moshuar dhe qindra prej tyre kanë vdekur gjatë vitit të mëparshëm.

Por ky mesazh është minuar disa vite më parë nga vetë pasuesi i Khomeini-t si lider suprem i regjimit, Ali Khamenei, i cili iu përgjigj një kryengritjeje mbarëkombëtare në janar 2018 duke deklaruar se MEK kishte “bërë përgatitje për muaj të tërë” për të ndihmuar organizimin e protestave dhe për të popullarizuar slloganet anti-qeveritare. Në atë kryengritje kishin marrë pjesë një gamë e gjerë moshash dhe segmentesh të shoqërisë iraniane, me një përfaqësim të konsiderueshëm të rinisë së vendit, dhe kishte patur tubime në mbi 100 qytete të mëdha e të vogla. Më pak se dy vjet më vonë, në nëntor 2019, MEK-ut iu atribua udhëheqja e një kryengritjeje tjetër mbarëkombëtare, e cila u përhap në gati 200 bashki.

Pas këtyre dy kryengritjeve, zyrtarët iranianë kanë qenë çuditërisht të drejtpërdrejtë për sa u përket shqetësimeve të tyre për rritjen e ndikimit të MEK. Pothuajse menjëherë pas shpërthimit të kryengritjes së 2019-ës, autoritetet e regjimit nisën të hapnin zjarr mbi turmat e njerëzve në shumë qytete, duke vrarë 1,500 njerëz brenda vetëm pak ditëve. Në atë kohë, presidenti aktual i regjimit, Ebrahim Raisi, mbante postin e kryegjyqtarit, dhe roli i tij në shtypjen e protestave shërbeu për t’ia përforcuar reputacionin si “kasapi i 1988-ës,” emër që e ka fituar si rezultat i rolit të tij kyç në “komisionin e vdekjes” të Teheranit, i cili ka mbikëqyrur ekzekutimin e 30,000 të burgosurve politikë, shumica anëtarë të MEK.

Masakra e 1988-ës ka mbetur simbol i konfliktit tejet të gjatë të regjimit iranian me MEK-un, dhe caktimi i Raisi-t si president nënkupton që ky konflikt mbetet ende prioritet, pavarësisht përpjekjeve të rrjeteve propagandistike për të bindur njerëzit se MEK nuk përbën rrezik serioz për sistemin teokratik. 33 vitet që nga masakra kanë qenë të mbushura me këtë propagandë, me nivele të ndryshme efektshmërie.

Gjatë një periudhe 12-mujore nga 2016 në 2017, regjimi ka publikuar të paktën 14 libra me shpifje për PMOI-në, dhe nga 2019 në 2020, mediat shtetërore kanë transmetuar mbi 300 filma e seriale televizive me të njëjtin qëllim. Regjimi drejton gjithashtu një revistë mujore dhe më shumë se një duzinë faqesh interneti që i kushtohen çështjeve të lidhura me PMOI-në. Të gjitha këto, sigurisht, e minojnë edhe më tej pretendimin e IRGC-së në rrjetet sociale se kësaj organizate gjoja po i afrohet fundi.

Por fokusimi i këtyre strategjive të mediave tradicionale dhe sociale brenda Iranit nuk e ka penguar regjimin të shpërndajë propagandë edhe përtej kufijve të tij. Në fakt, këto fushata keqinformuese të brendshme e ndërkombëtare shpesh punojnë krah për krah: Narrativat e mediave shtetërore nxisin infiltrimin në mediat e huaja, dhe kjo çon në publikime të cilat regjimi iranian mund t’i citojë pastaj si vërtetim “i pavarur” i pretendimeve të tij shpifëse.