Saturday, February 4, 2023

Llogaritë e Lidhura me Iranin në Twitter, dhe Pikat e Diskutimit të Regjimit Kundër MEK

 

Shkruar nga Shahriar Kia

Twitter shpalli të mërkurën se kishte fshirë afërsisht 130 llogari që me sa duket e kanë patur origjinën në Iran dhe përpiqeshin të krijonin trazira në bisedat rreth debatit të parë presidencial në SHBA. Kjo gjë tregon për një tendencë në vazhdim të përdorimit nga ana e regjimit iranian të taktikave të keqinformimit në mediat sociale, dhe se si lobuesit e Iranit në Perëndim po i keqpërdorin rrjetet sociale për të përhapur pikat e diskutimit të regjimit.

Në shkurt të këtij viti, u raportua se Facebook, ashtu siç ka bërë tani Twitter, kishte fshirë qindra llogari mashtruese që ishin të lidhura me Iranin dhe vende të tjera.

Këto bllokime llogarish nga Twitter dhe Facebook kanë ndodhur pothuajse rregullisht për disa vite. Vazhdimësia e kësaj dukurie edhe tani është një shenjë që tregon se sa i vështirë është të menaxhohet ky problem pasi kjo do të thotë se bot-et dhe troll-et janë rikthyer edhe pas fshirjes së miliona llogarive të tilla nga Twitter në një spastrim të madh nga këto platforma në maj e qershor 2018. Dhe kjo vështirësi mund të thuhet se shumëfishohet nga impakti që kanë profilet false e keqinformuese përtej ndërveprimeve të tyre të ngushta.

Që nga spastrimi i 2018-ës, Twitter dhe Facebook kanë bërë disa njoftime të mëtejshme për sa i përket fshirjes së llogarive të lidhura me Iranin, dhe me disa shtete të tjera. Në disa raste, raportet shoqëruese të mediave kanë treguar se para se të identifikoheshin si të rreme, disa nga llogaritë e fshira ia kanë dalë ta publikojnë përmbajtjen e tyre në outlet-e të ndryshme lokale lajmesh. Kjo paraqet potencialin që po kjo përmbajtje të citohet në media të tjera duke iu referuar direkt llogarive që janë ekspozuar tashmë si jo legjitime.

Kjo shpërndarje organike e pikave të fabrikuara të diskutimit është një taktikë që propagandistët iranianë e kanë përdorur, sipas raporteve, për përfitimet e veta. Kritikët e regjimit iranian, duke përfshirë opozitën kryesore demokratike, Organizatën Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI-MEK), kanë shumë kohë që paralajmërojnë për faktin që Ministria iraniane e Inteligjencës dhe Sigurisë (MOIS) ushtron ndikim mbi mediat perëndimore me anë të agjentëve të saj dhe një “rrjeti gazetarësh miqësorë.”

Iran's disinformation campaign against the MEK via 'friendly journalists'

MEK ka qenë shënjestra direkte e një pjese të madhe të kësaj influence. MOIS i ka kanalizuar pikat e bisedës rreth këtij grupi përmes lobuesve të saj në Perëndim dhe të ashtu-quajturve ish-anëtarë të MEK.

Mbizotërimi në rritje i mediave sociale e ka bërë më të lehtë e më të gjerë rekrutimin dhe operacionet e mëpasshme të MOIS. Ndërkohë që vendosja direkte e pikave të diskutimit të MOIS në mediat perëndimore mbetet me një vlerë unike, regjimi iranian mund të arrijë objektiva të ngjashme, edhe pse më të ngushta, thjesht duke i bombarduar rrjetet sociale me llogari të rreme me shpresën se pikat e tyre të diskutimit do të merren nga përdorues të tjerë derisa të shkojnë tek mediat profesionale dhe ndërgjegjja publike.

Është e pamundur të thuhet se cilat do të kishin qenë detajet e këtyre pikave të diskutimit nëse llogaritë e fshira së fundmi do të ishin lejuar të vazhdonin të operonin. Por është shumë e mundshme që përmbajtja e tyre do të kishte përfshirë njollosje të njohura kundër MEK, organizatë e cila ka shumë kohë që është identifikuar si zëri udhëheqës për demokracinë në Iran dhe kërcënimi kryesor ndaj mbajtjes së pushtetit për mullahët. Ky kërcënim vetëm sa është bërë më i qartë gjatë tre viteve të fundit, pasi edhe vetë zyrtarët e lartë të regjimit ia kanë atribuar MEK-ut udhëheqjen e dy kryengritjeve mbarëkombëtare anti-qeveritare.

Kjo gjë e ka bërë edhe më të domosdoshme për regjimin iranian prishjen e veprimtarive të MEK dhe de-legjitimizimin e saj. Në qershor 2018, dy operativë iranianë nën urdhrat e një diplomati të rangut të lartë tentuan të transportonin një pajisje shpërthyese drejt një tubimi pro-demokracisë në Francë, tubim i cili ishte organizuar nga koalicioni që përfshin MEK-un, Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit. Pas parandalimit të këtij komploti nga autoritetet europiane, MEK raportoi një rritje të madhe në operacionet e propagandës të regjimit iranian, brenda dhe jashtë Iranit.

Kampi Ashraf, Irak.

Efektshmëria me raste e këtyre përpjekjeve është theksuar nga dy çështje gjyqësore në Gjermani, njëra në mars 2019 dhe tjetra në korrik 2020, të cilat rezultuan në dhënien e urdhërit që dy botime të famshme të fshinin akuzimet e rreme kundër MEK. Këto përmbajtje fyese përfshinin referenca ndaj abuzimeve ndaj anëtarëve të thjeshtë të grupit nga liderët e tij në kompleksin e tyre të ndërtuar vetë, Ashraf 3, në Shqipëri. Akuzime të tilla janë në thelb identike me ato që janë bërë lidhur me rezidencën e mëparshme të MEK në Irak, Kampin Ashraf.