Wednesday, December 6, 2023

Iran: A Është Treguar Naiv Perëndimi Përballë Veprimtarive të Ndikimit Iranian?

Kohët e fundit është zbardhur fakti se qeveria amerikane ka qenë duke ndjekur penalisht një shkencëtar politik dhe ekspert të vetë-deklaruar të marrëdhënieve ndërkombëtare me emrin Kaveh Lotfolah Afrasiabi, sipas Aktit të Regjistrimit të Aseteve të Huaja. Dokumentet e akuzave tregojnë se ai ka marrë mbi 265,000 dollarë pagesa përmes Misionit të Përhershëm të Iranit në Kombet e Bashkuara, për punë që ka promovuar narrativat e regjimit iranian tek politikë-bërësit dhe mediat amerikane.

Kjo punë raportohet të jetë zhvilluar gjatë 13 viteve, dhe natyrisht lind pyetja pse lidhjet e fshehta të Afrasiabi me regjimin iranian nuk janë zbuluar më herët. Por për ata që e njohin mirë funksionimin e rrjeteve të fshehta të ndikimit të Iranit në Perëndim, vonesa e gjatë në arrestimin e tij nuk është edhe aq e habitshme. Dihet që shënjestrat e këtij ndikimi kanë qenë naivë në mënyrën se si janë sjellë ndaj personave që promovojnë narrativat pro-Iran, duke e marrë shpesh të mirëqenë se ata operojnë në mënyrë të pavarur edhe atëherë kur ka prova të shumta për shkelje të FARA.

Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit (NCRI), i cili është vetë shënjestër e shpeshtë e propagandës iraniane që përhapet përmes mediave perëndimore, e ka vënë në dukje menjëherë këtë situatë pas raportimit se Afrasiabi kishte dalë për herë të parë përpara një gjykate federale amerikane. “Fatkeqësisht, gjatë tre dekadave të fundit, regjimi iranian ka drejtuar një rrjet të gjerë agjentësh e operativësh, shumë prej të cilëve kanë qenë persona amerikanë, në shkelje të qartë të ligjit amerikan,” shpjegon Alireza Jafarzadeh, zëvendës drejtori i zyrës së NCRI-së në Uashington.

Natyrisht, NCRI ka nxjerrë paralajmërime të shumta lidhur me këtë rrjet gjatë viteve, duke u përpjekur gjithashtu t’i kundërvihet kësaj propagande, sidomos në çështjet që kanë të bëjnë me qëndrueshmërinë e supozuar politike të regjimit iranian dhe mungesën e supozuar të kundërshtimit ndaj sundimit të tij brenda vendit.

Kjo narrativë filloi të minohej në mënyrë serioze nga fundi i vitit 2017 me shpërthimin e një kryengritjeje mbarëkombëtare kundër diktaturës teokratike, kryengritje prej të cilës rrodhën edhe dy të mëpasshme dhe një larmi protestash më të vogla përpara shpërthimit të pandemisë së koronavirusit. Por pavarësisht gjithë kësaj, diskursi perëndimor për sa i përket regjimit iranian mbetet ende tepër i prirur ndaj idesë se politikë-bërësit nuk kanë zgjidhje tjetër përveçse të negociojnë me qeverinë ekzistuese iraniane me mendimin se nuk ka alternativë tjetër të arsyeshme ndaj kësaj qeverie.