Wednesday, February 1, 2023

Deklarata e Ministrit Iranian të Inteligjencës Nxit Pa Dashje një Shqyrtim Ndërkombëtar

Ministri iranian i Inteligjencës, Mahmoud Alavi, ka folur së fundmi në mediat shtetërore duke pohuar se, nëse “shtyhet” nga kundërshtarët perëndimorë, regjimi iranian mund t’i vihet prapa në mënyrë aktive prodhimit të një arme bërthamore. Ky ishte një largim i jashtëzakonshëm nga pozicioni i vjetër por tepër i dyshimtë i regjimit se programi i tij bërthamor është ekskluzivisht paqësor. Por nuk ishte i vetmi zbulim i jashtëzakonshëm që bëri Alavi të martën.

Në të njëjtën intervistë, Alavi pohoi se një numër filmash e serialesh televizive të kohëve të fundit janë prodhuar nga Ministria e Inteligjencës.

“Nisur nga eksperienca ime në këtë ministri, jemi marrë me veprimtari të lidhura me krijimin e filmave e serialeve për të edukuar publikun, për ta mbrojtur publikun nga spiunazhi, dhe për të arritur qëllimet e inteligjencës,” tha Alavi. “Filmat Rubah (Dhelpra), MajerayehNimrouz (Çështja Nimrouz), Cyanur (Cianur), Emkan-e Mina, Ruz-e Sefr (Dita Zero), ShabikeMah Kamel Shod (Nata e Hënës së Plotë), dhe serialet televizive Puzzle, Ëndrra që u Interpretua Mbrapsht, Saregh-e Ruh (Hajduti i Shpirtrave), dhe KhaneyehAmn (Shtëpi e sigurtë) janë rezultat i këtij bashkëpunimi me miqtë tanë të dashur.”

Në këtë mënyrë, ai e pranoi se propaganda e regjimit penetron në media, gjë që ishte mohuar me kohë në deklaratat e mëparshme publike. Krahas pohimit të ambicieve të fshehta për armë bërthamore, ky është një hap i madh drejt vërtetimit të narrativave opozitare për sa i përket si natyrës, ashtu edhe funksionit të infrastrukturës propadandistike të Teheranit.

Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit (NCRI) ka publikuar shumë raporte gjatë viteve, ku përshkruhen në detaje operacionet e propagandës të Ministrisë së Inteligjencës. Mes këtyre raporteve gjenden edhe përshkrime të filmave e programeve televizive të prodhuara nga shteti kohët e fundit, si ato që Alavi identifikoi me emër. Më specifikisht, NCRI ka zbuluar se ky proliferim përqendrohet tek konflikti në rritje midis regjimit iranian dhe lëvizjes së organizuar opozitare, Organizata Muxhahedine e Popullit të Iranit (PMOI-MEK).